Lidhje

Presidentja e Brazilit pranë shkarkimit të mundshëm


Presidentja e Brazilit, Dilma Rouseff, po lufton për mbijetesë, ndërkohë që parlamenti pritet të votojë nesër për shkarkimin e saj.

Opozita pretendon se administrata e zonjës Rousseff shkeli ligjin duke zhvendosur fonde publike për të fituar mbështetjen e publikut për rizgjedhjen e saj në vitin 2014.

Presidentja 68-vjeçare, që ka studiuar shkenca ekonomike, thotë se kjo ka qenë një praktikë e zakonshme dhe këmbëngul se nuk ka kryer shkelje.

Duke i paraprirë votimit në parlament, ajo botoi një artikull në një gazetë të përditshme braziliane, ku shpjegon se ajo është viktimë e një puçi që politikanë të korruptuar po organizojnë ndaj Republikës së Brazilit dhe demokracisë.

Nëse dy të tretat e dhomë së ulët të parlamentit brazilian miratojnë propozimin për shkarkimin e saj, atëherë senati do të votojë nëse Presidentja duhet të shkarkohet. Ndërkohë, sipas ligjit brazilian, ajo edhe do të pezullohet nga detyra për 180 ditë.

Kjo krizë politike në Brazil mund të destabilizojë ekonominë më të madhe të Amerikës Latine, e cila po përjeton një rënie ekonomike, ndërkohë që po mundohet të organizojë Lojërat Olimpike Verore në muajin gusht, në qytetin Rio de Janeiro.

XS
SM
MD
LG