Lidhje

Presidentja Jahjaga flet në SAIS për arritjet dhe synimet e Kosovës


Presidentja Jahjaga flet në SAIS për arritjet dhe synimet e Kosovës
Presidentja Jahjaga flet në SAIS për arritjet dhe synimet e Kosovës

Presidentja e Kosovës vazhdon vizitën këtu në Uashington. Dje ajo ishte e ftuar për një diskutim në shkollën e studimeve të avancuara ndërkombëtare, Paul Nitze të universitetit Johns Hopkins. Në fjalën e saj presidentja Jahjaga, foli rreth një numër çështjesh, duke e vënë theksin tek angazhimi i qeverisë së saj për integrimin e komunitetit serb në shoqërinë e Kosovës dhe të të gjithë vendit në institucionet evropiane dhe Euro-Atlantike.

Në praninë e një numri të madh studiuesish dhe specialistësh të çështjeve të Ballkanit, presidentja Jahjaga tha se Kosova është bërë me sukses pjesë e disa organizatave ndërkombëtare. Ne do të vazhdojmë të kërkojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, tha ajo, sepse ne besojmë se kjo është e vetmja mënyrë që mund të kontribuojmë drejt paqes dhe stabilitetit në botë. Zonja Jahjaga tha se brënda një periudhe relativisht të shkurtër, Kosova është shndëruar në një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon dhe në botë.

“Në më pak se një gjeneratë, Kosova është transformuar nga një vend i luftës në një vend të ri në rrugën drejt integrimit në institucionet Euro-Atlantike. Që prej shpalljes së pavarësisë, Kosova ka vendosur marrëdhënie të mira me vendet e rajonit. Republika e Kosovës ka një perspektivë të qartë evropiane. Ne nuk shikojmë rrugë tjetër apo alternativë tjetër për të ardhmen tonë veç integrimit në familjen evropiane dhe atë Euro-Atlantike bashkë me vendet e tjera të rajonit”.

Ky angazhim, tha ajo, është demonstruar në të gjitha proceset, që qeveria e Kosovës është angazhuar, përfshirë edhe dialogun me Republikën e Serbisë. Dialogu me Serbinë përbën mënyrën e vetme dhe më të mirë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, tha zonja Jahjaga dhe ky dialog nuk duhet të shmanget. Parimet bazë të shtetit dhe mirëqenies tonë nuk do të jenë dhe nuk duhet të jenë pjesë e diskutimit me ndonë vend tjetër, për më tepër me Serbinë, theksoi presidentja e Kosovës. Çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të garantohet fuqishëm nga Bashkimi Evropian. Zonja Jahjaga shfaqi shpresën që në të ardhmen e afërt Kosova do të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë sepse objektivi ynë strategjik, tha ajo, është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, kërkesat kyçe të të cilit janë marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i mirë mes vendeve fqinje.

Presidentja Jahjava foli gjerësisht rreth gjendjes në veriun e Kosovës. Ajo e vuri theksin tek tre komunat në veriun e Kosovës, ku ajo tha se qeveria e Kosovës përballet me vështirësi, komuna këto që shtrihen në kufi me Serbinë dhe që administrohen nga stuktura ilegale dhe mbështeten nga shteti i Serbisë, tha ajo. Mungesa e ligjit në këto rajone ka bërë të mundur që kontrabanda dhe krimi i organizuar të hedhin rrënjë, duke dëmtuar kështu ekonominë e të dy vendeve. Presidentja Jahjaga u angazhua për normalizimin e situatës.

“Ne jemi të vendosur të normalizojmë situatën në veriun e Kosovës, të cilën e konsiderojmë si një çështje të ruajtjes së rendit. Unë e kam bërë të qartë se nuk ekziston asnjë alternativë tjetër përveç zbatimit të Planit Ahtisari dhe ky plan nuk mund të modifikohet sepse ai është hartuar dhe miratuar në bashkëpunim të plotë mes institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar”.

Ajo përshëndeti fillimin e largimit të barikadave nga rrugët e veriut të Kosovës si një shprehje të vullnetit të njerzve për të zgjidhur çështjet e tyre jo nëpër rrugë por nëpërmjet institucioneve përkatëse. Ajo shtoi se integrimi i komunitetit serb në veriun e Kosovës është mënyra në të cilën Kosova do të ndërtojë një të ardhme të sigurtë për të gjithë popullin e vet. Presidentja Jahjaga u bëri thirrje anëtarëve të komunitetit serb të Kosovës që të marrin përsipër përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre për t’u bërë pjesë e shoqërisë dhe ta kosiderojnë Kosovën si atdheun e tyre.

XS
SM
MD
LG