Lidhje

SHBA, vazhdojnë polemikat për udhëtimet e zyrtarëve


Presidenti Donald Trump u ka thënë bashkëpunëtorëve se sekretari i tij i shëndetësisë është bërë objekt shpërqendrimi, duke hedhur hije mbi axhendën e tij si president dhe duke minuar premtimin e fushatës për të ''tharë moçalin'' e korrupsionit, njofton agjencia e lajmeve Associated Press që citon persona të cilët kanë dijeni mbi çështjen.

Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Tom Price vazhdoi të premten përpjekjet për të qëndruar në postin e tij në klimën e pikëpyetjeve që ka ngjallur përdorimi nga ana e tij i fluturimeve private me porosi për punë zyrtare, me një kosto prej disa qindra mijë dollarësh.

Sekretarët e tjerë të kabinetit u përpoqën të shpjegonin fluturimet e tyre me avionë privatë të porositur, ndërkohë që një komision i Kongresit tha se do të vazhdojë hetimin e çështjes së udhëtimeve për zyrtarët e lartë qeveritarë.

Sekretari i Pyjeve, Ryan Zinke i quajti polemikat rreth udhëtimeve paksa të ekzagjeruara, por tha se taksapaguesit kanë të drejtë të dinë mbi shpenzimet e udhëtimit të zyrtarëve.

Tom Price shprehu keqardhje për çështjen dhe të enjten ofroi të dëmshpërblente pjesërisht shpenzimet, por kjo nuk duket se e ka zbutur zemërimin, veçanërisht në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Trump është thellësisht i irrituar me zotin Price si dhe nga njoftimet që bëjnë fjalë për shpenzimet e udhëtimeve të shtrenjta me avion të sekretarit të shëndetësisë, sipas personave që kanë dijeni me diskutimet private të zotit Trump, të cilët folën në kushte anonimiteti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG