Lidhje

Priftërinjtë amerikanë kundërshtojnë “urdhërin mbi kontraceptivët”


Priftërinjtë amerikanë kundërshtojnë “urdhërin mbi kontraceptivët”
Priftërinjtë amerikanë kundërshtojnë “urdhërin mbi kontraceptivët”

Reforma e sistemit të shëndetësisë e Presidentit Obama i kërkon punëdhënësve në Shtetet e Bashkuara të mbulojnë shpenzimet për parandalimin e shtatzanisë së padëshiruar të punonjëseve të tyre. Kishat që janë moralisht kundër mund të përjashtohen nga ky detyrim, por jo institucionet e lidhura apo të drejtuara nga feja, si spitalet apo universitetet. Priftërinjtë katolikë po ankohen se po shkelet liria e tyre fetare. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jerome Socolovsky shkoi në një universitet katolik këtu në Uashington, ku bisedoi me studentë dhe profesorë mbi këtë çështje.

Maria Sophia Aguirre është profesoreshë e ekonomisë në Universitetin Katolik të Amerikës. Ajo është gjithashtu kundër masave kontraceptive, dhe thotë se ato nuk duhet të përfshihen në reformën e shëndetësisë.

“Kjo gjë, si grua, mua më duket një fyerje. Unë nuk jam vegël politike dhe nuk kam nevojë që qeveria të më udhëzojë mbi marrëdhëniet e mia seksuale.”

Zonja Aguirre thotë se kushdo që kërkon mbulim të shpenzimeve për kontraceptivët duhet të gjejë një universitet tjetër.

“Nuk ka pse të jesh në një universitet katolik nëse mendon me këmbëngulje se duhet të jetë pjesë e paketës.”

Ky universitet katolik është i ngjashëm me shumë të tjerë në SHBA dhe ka shumë studentë jokatolikë.

Sipas reformës së shëndetësisë të Presidentit Obama, të gjithë ata që kanë sigurime shëndetësore të universiteteve katolikë, si ky, duhet të paguhen për shpenzimet mbi kontraceptivët. Dhe kjo ka hapur debate brenda universitetit.

Regina Conley është studente e historisë dhe është kundër të ashtuquajturit “mandati për kontraceptivët”.

“Unë nuk mendoj se kjo ka lidhje mbi përdorimin ose jo të masave parandaluese. Unë them se ka të bëjë me faktin që universitetet katolike kanë disa parime dhe standarde, dhe njerëzit duhet ta presin një gjë të tillë.”

Bridget MacDonald thotë se për shumë femra shëndeti varet nga mundësia e përdorimit të kontraceptivëve.

“Nëse ato nuk kanë mundësi të sigurojnë gjëra kaq të rëndësishme, nuk është e drejtë. Punëdhënësi nuk duhet të lejohet të kushtëzojë këtë, pavarësisht nga besimi fetar apo gjëra të ngjashme.”

Një anketë e fundit tregoi se shumica e katolikëve amerikanë mendojnë se punëdhënësit e lidhur me institucionet fetare duhet të ofrojnë sigurime shëndetësore që përfshijnë kontraceptivët.

Por, nëntorin e kaluar, peshkopët e tyre filluan një fushatë kundër urdhërit – dhe shumë prej tyre shkruan letra proteste që priftërinjtë lexuan më pas gjatë shërbimeve fetare.

John Allen ka shkruar disa libra mbi kishën. Ai thotë se priftërinjtë nuk kanë harruar faktin që mbi 50 për qind e katolikëve që morën pjesë në zgjedhjet e vitit 2008, votuan për Presidentin Obama.

“Unë mendoj se priftërinjtë në një farë mënyre e shohin zotin Obama si një kundërshtar për udhëheqjen e komunitetit të katolikëve amerikanë.”

Por, Stephen Shneck, profesor i shkencave politike në Universitetin Katolik, thotë se priftërinjtë janë të përgatitur mirë për këtë betejë.

“Ata kishin përgatitur një komitet. Ata kishin përgatitur paratë. Ata kishin gati një mesazh dhe u organizuan mjaft shpejt. Mendoj se ata janë të kënaqur për momentin. Priftërinjtë kanë patur sukses të madh politik me këtë.”

Presidenti Obama e ndryshoi planin e reformës, në mënyrë që punëdhënësit fetarë të mos detyrohen të paguajnë drejtpërdrejt për kontraceptivët. Priftërinjët thonë se kjo është ende e papranueshme dhe po shtojnë ritmet e fushatës së tyre kundër asaj që ata cilësojnë si shkelje të lirisë së tyre fetare.

XS
SM
MD
LG