Lidhje

19 prilli ngjall kujtime të hidhura tek amerikanët


Sulmi terrorist në Boston të hënën, u kujtoi amerikanëve disa ngjarje të dhimbshme që datojnë pas tij. 19 prilli është përvjetori i rrethimit në vitin 1993 të kultit Davidian në Uejko të Teksasit dhe sulmit terrorist në një ndërtesë federale në qytetin e Oklahomës në vitin 1995. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Xhim Malonë, na sjell hollësi për këto përvjetore dhe rëndësinë e tyre.

Ato janë imazhe tragjike të gdhendura në kujtesën kolektive të Amerikës. Rrethimi në vitin 1993 i kultit Davidian në një shtëpi në Teksas përfundoi me vrasjen e më shumë se 70 anëtarëve të këtij sekti fetar radikal pas konfrontimit me zyrtarët federalë.

Dy vjet më vonë, një komion bombë hodhi në erë një ndërtesë federale në qytetin e Oklahomës, duke vrarë 168 njerëz dhe plagosur qindra të tjerë. Ish ushtari Timothi Mekvei u dënua si autor i këtij sulmi dhe u ekzekutua në vitin 2001.

Të dy këto ngjarje ndodhën më 19 prill dhe që prej atëhere kjo datë ka marrë një rëndësi të veçantë, thotë Mark Potok i Qendrës Ligjore për Varfërinë në Jug, nëpërmjet Skaipit.

“19 prilli është bërë një ditë disi ikonike e të djathtës radikale në Shtetet e Bashkuara, pasi kjo është data kur në vitin 1775 filluan të shtënat e para të Revolucionit Amerikan në Leksington dhe Konkord”.

Një tjetër tragjedi ndodhi më 20 prill 1999 në shkollën Kolumbajn të Kolorados. Këto përvjetore janë ditë kujtimesh të hidhura për amerikanët, por gjithashtu burim shqetësimi për zyrtarët e ruajtjes së rendit. Ish prokurori federal, Eitën Golman, ishte pjesë e ekipit që gjykoi shpërthimin në qytetin e Oklahomës.

“Kjo ishte me të vërtetë një tronditje për sistemin dhe për faktin se ndodhi në qytetin e Oklahomës, në zermër të vendit, madje fakti që autori nuk ishte ndonjë fanatik mysliman, por një terrorist amerikan, mendoj se i tronditi së tepërmi njerëzit”.

Golman kujton justifikimin që paraqiti MekVei për sulmin në qytetin e Oklahomës.

“Ai e konsideroi qytetin e Oklahomës si shpagim për Uejkon dhe dita e këtij sulmi nuk ishte e rastësishme MekVei qëllimisht zgjodhi këtë datë të përvjetorit të Uejkos”.

Rasti i Oklahomës nxorri në pah lidhjet e MekVeit me grupet paraushtarake anti qeveritare të krahut të djathtë. Këto grupe janë shtuar që kur Barak Obama u zgjodh president në vitin 2008, thotë Mark Potok.

“Kanë qënë 149 grupe të tilla në vitin 2008. Deri vitin e kaluar numri i tyre kishte arritur në 1360”.

Vemendja që i është kushtuar kohët e fundit kontrollit të armëve po nxit gjithashtu pasionet mes grupeve ekstremiste, thotë Eitën Golman.

“Kontrolli i armëve është një çështje e nxehtë për radikalët. Ata mendojnë se çdo hap i ndërmarrë për kontrollin e armëve do të ndryshojë rendin botëror dhe në pushtet mund të vijë në qeveri e mbështetur nga Kombet e Bashkuara që do t’i marri gjithkujt armët”.

Dhe tani që Bostoni po përballet me pasojat e sulmit më të fundit terrorist, 19 prilli ngjalli kujtime të hidhura nga tragjeditë e mëparëshme dhe demonstroi nevojën për të qënë të përgatitur për kërcënimet në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG