Lidhje

Proces gjyqësor për skandalin e trukimit të ndeshjeve në Turqi


Proces gjyqësor për skandalin e trukimit të ndeshjeve në Turqi
Proces gjyqësor për skandalin e trukimit të ndeshjeve në Turqi

Në një gjykatë të Stambollit ka filluar procesi gjyqësor kundër atyre që akuzohen në lidhje me skandalin e fiksimit të rezultatit të ndeshjeve të futbollit. Korrespondenti e Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli se ky rast përfshin disa nga klubet më të mëdha të vendit dhe zyrtarët e tyre.

Mijëra tifozë të klubit futbollistik Fehnerbahçe të Stambollit protestuan para gjykatës në mbështetje të zyrtarëve të klubit të tyre të cilët po gjykohen për fiksimin e rezultatit të ndeshjeve. Një tifoz shprehu angazhimin ndaj klubit të tij.

Ai thotë se do të presim deri në fund, me shpresë se të gjithë do të shpallen të pafajshëm.

Fenerbahçe është një nga klubet më popullore në vend dhe është në qendër të një prej skandaleve më të mëdha të fiksimit të rezultatit të ndeshjeve.

Presidenti i klubit Aziz Yildirim është mes 92 të akuzuarve. Edhe klube të tjera të njohura turke janë të përfshira në këtë skandal. UEFA e ka hequr Fenerbahçen nga Kupa e Kampionëve, për shkak të dyshimeve për trukimin e rezultatit të ndeshjeve.

Hetimet filluan 9 muaj më parë, pasi policia kishte dyshime se rezultatet e të paktën 19 ndeshjeve të ligës së parë dhe ligës së dytë në sezonin 2010-2011 që i kishte fituar Fenerbahce ishin të fiksuara.

Disa javë pas fillimit të hetimeve policia kishte bërë arrestime në mbarë vendin. Ne mesin e të arrestuarëve janë pothuaj 12 ish menaxherë të klubeve të futbollit. Gazetari sportiv Simsek Fistikoglu, i gazetës Haberturk, thotë se kjo është një fatkeqësi e madhe për Turqinë dhe futbollin.

“Besoj se është 11 shtatori i futbollit turk, sepse bëhet fjalë për një numër të madh njerëzish dhe emra të mëdhenjë dhe të rëndësishëm. Bëhet fjalë për klubin Fehnerbahçe, Sivarspor, Trabzonspor, Besiktas, këto janë klube të rëndësishme dhe të vjetra. Është një surprizë, ndonëse ne të gjithë mendonim se diçka nuk ishte në rregull me futbollin turk”.

Hetimi u bë i mundur pasi qeveria miratoi një ligj që e bën fiksimin e rezultatit të ndeshjeve vepër kriminale. Prokurorët po kërkojnë dënim me burg deri në 147 vite për presidentin e klubit Fehnerbahçe.

Presidenti i federatës së futbollit të Turqisë dhe dy zëvendës të tij kanë dhënë dorëheqjen muajin e kaluar pasi nuk arritën marrëveshje për vendosjen e sanksioneve kundër klubeve të cilat dënohen nga gjykata.

Si federata evropiane e futbollit, UEFA, ashtu edhe federata botërore e futbollit, FIFA, po vëzhgojnë me vëmendje procesin gjyqësor dhe kanë kërkuar ndëshkime të rënda për klubet që shpallen fajtor për përfshirje në kurdisjen e rezultatit të ndeshjeve.

XS
SM
MD
LG