Lidhje

Kush është Mike Pence


Në vështrim të parë, guvernatori i Indianës, Mike Pence, mund të mos duket si njeriu i duhur për të garuar përkrah njujorkezit të stuhishëm Donald Trump. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, njofton mbi vlerat e rajonit perendimor të Amerikës dhe eksperiencës që ka zoti Pence në Uashington për të bërë më të fortë kandidaturën presidenciale republikane.

Ai është nga rajoni i shteteve veriperëndimore të Amerikës, me kredenciale të fuqishme konservatore.

“Njerëzit që më njohin mirë e dinë se jam njeri i thjeshtë – jam i krishterë, konservator dhe republikan, sipas kësaj radhitje,” është shprehur zoti Pence.

Vlerat e zotit Pence vijnë nga shteti i tij i Indianës.

Njerëzit e mirë bëjnë gjëra të mira kur nuk i sheh njeri dhe kjo është karakteristikë e njerëzve nga kjo pjesë e vendit dhe nga shtete si Indiana,” thotë Randy Decleene, i firmës konsulente KGlobal Consulting.

Në vitet ‘90, kur Pence ishte një drejtues konservator i një emisioni në radio, ai pati rastin të fliste me Randy DeCleene-in rreth shpresave të tij për të ardhmen dhe për shërbimin qeveritar.

“Mesazhi qëndror i asaj që ai tha ishte shumë pozitiv, energjik dhe frymëzues,” thotë zoti Decleene.

Ndërsa kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, thotë se:

“Ai është një njeri besimtar. Është njeri me bindje. Është njeri që mund ta besosh. Ai vjen nga zemra e lëvizjes konservatore të Amerikës.”

Pas dy fushatave të pasuksesshme për në Kongres, zoti Pence më në fund u bë përfaqësues i Indianës në kongresin amerikan në vitin 2000.

Ai fitoi eksperiencë në Uashington por nuk e sheh qeverinë si përgjigjen e vetme të problemeve që kanë njerëzit.

“Jemi të lodhur nga thëniet se një elitë e vogël intelektuale në kongresin e shkëputur nga realiteti, mund të planifikojë jetët tona më mirë sesa vetë ne,” thotë zoti Pence.

Zoti Pence u kthye në Indiana në vitin 2012 për të shërbyer si guvernator duke nxitur debate mbi abortin dhe konflikte mes të drejtave të homoseksualëve dhe lirisë fetare.

“Ky ligj nuk u jep bizneseve të drejtën për të mohuar shërbimin ndaj kujtdo,” u shpreh ai.

Besimi fetar i fuqishëm i zotit Pence sjell balancë në kandidaturën republikane – megjithëse duket opozita e zotit Trump në shumë çështje.

“Pjesa konservatore e partisë – që ka qënë dyshuese për Donald Trumpin – e di se mund të besojnë zotin Pence. Ai është një njeri me përvojë – ka kaluar kohë në Kongres dhe ka qënë guvernator i Indianës. Pra, nëse Trump zgjidhet, mendoj se zoti Pence mund të jetë shumë i dobishëm për të negociuar me kongresin në emër të administratës,” thotë Gary Nordlinger, i Universitetit "George Washington".

Por, vlerat personale të zotit Pence janë shumë më të rëndësishme thotë analisti DeCleene:

“Mendoj se ai ka cilësitë për të qënë një udhëheqës i fuqishëm, gjithpërfshirës dhe strategjik”.

Cilësi këto që zoti Pence shpreson se do të bindin votuesit në zgjedhjet e nëntorit.

XS
SM
MD
LG