Lidhje

Paraqitja e programit qeverisës në parlament


Presidenti Nishani dekretoi ministrat e rinj. Sonte pritet prezantimi i programit nga kryeministri Edi Rama. Debati shtyhet për të shtunën për t’i lënë kohë opozitës

Në Shqipëri kryeministri I ri I vendit Edi Rama pritet të paraqesë sot pasdite në parlamet programin e tij, pasi gjatë ditës presidenti Bujar Nishani dekretoi edhe ministrat e kabinetit. Debati mbi programin është shtyrë për ditën e shtunë pas protestave të opozitës së djathtë se asaj nuk po i lihej kohë për t’u përgatitur. Programi i qeverisë i është përbajtur premtimeve të bëra gjatë fushatës, por në shumicën dërrmuese të rasteve mungojnë afatet kohore dhe etapat brenda së cilave e majta synon realizimin e objektivave të saj

Një takim i organizuar sot paradite mes kryetarit të parlamentit Ilir Meta dhe kryetarëve të grupeve parlamentare i dha zgjidhje konfliktit të lindur mes shumicës së re dhe opozitës për debatin mbi programin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. I paralajmëruar për t’u zhvilluar gjatë një seance të thirrur për në orën 11, debati u shty për ditën e shtunë, për ti dhënë kështu kohë opozitës. Kryetari i ri i saj, Lulzim Basha tha se uronte që akte të ngjashme të mungesës së transparencës të mos përsëriteshin, ndërsa deklaroi se ende opozita nuk kishte marrë zyrtarisht programin: “Vendosja e proçesit në binarët kushtetues të nisë një orë e më parë duke filluar me depozitimin kushtetues të programit të qeverisë, çka nuk ka ndodhur akoma.
Mazhoranca duhet ta kuptojë se përgjegjësitë e saj sot janë përtej një shfaqeje mediatike, këto janë përgjegjësi kiushtetuese dhe duhet të ushtrohen në mënyrë kushtetuese. Presim që programi të na vihet në dispozicion në mënyrë kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë”.

Nga ana e vet parlamenti megjithatë kishte njoftuar që prej ditës së djeshme se qeveria e re e kishte depozituar programin, i cili pritet të prezantohet sot në sallë nga ana e kryeministrit. Në parlament zoti Rama, pritet të jetë me të gjithë ministratt e tij të dekretuar tanimë nga presidenti Bujar Nishani.

Programi i ardhshëm qeverisës shoqërohet nga një hyrje e kryeministrit Edi Rama i cili thekson se misioni i së majtës është që “të të ecë më shpejt për të ndërtuar Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër” dhe se vlerat mbi të cilat ajo do të mbështetet do të jenë Liria, Përgjegjësia dhe Solidariteti. “Liria e njerëzve dhe e konkurrencës pa asnjë diskriminim e kufizim politik, në funksion të meritës; Përgjegjësia e gjithkujt përpara vendit e ligjit, në funksion të një shoqërie ku të drejtat e secilit nuk ndahen nga detyrimet ndaj komunitetit; dhe Solidaritet me më të dobëtit, në funksion të një bashkëjetese ku barazia e mundësive s’mund të mjaftojë pa drejtësinë sociale”, shpjegon zoti Rama.

Programi është ndërtuar mbi pesë kapituj duke nisur me integrimin europian, rolin e Shqipërisë në Ballkan, sigurinë dhe shtetin e së drejtës e duke vazhduar me zhvillimin ekonomik dhe shërbimet publike. Qeveria e re vendos si prioritet marrjen e statusit dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin europian, premton rivendosjen e shpejtë të rendit dhe sigurisë duke paralajmëruar ristruturimin e policisë dhe ngritjen e një Byroje Kombëtare të Hetimit për luftën ndaj krimit të organizuar e trafiqeve si dhe korrupsionit. Reforma të thella parashikohen në Drejtësi, një ndarje e re administrativo-territoriale, si dhe në ekonomi ku flitet për nevojën e një modeli të ri zhvillimi. Por ndërsa në të janë përfshirë të gjitha premtimet e bëra gjatë fushatës, për shumicën dërrmuese nuk jepen afatet kohore apo etapat e realizimit të tyre.
XS
SM
MD
LG