Lidhje

Në rrezik programe të shkëmbimeve kulturore mes SHBA dhe botës


Zherka: Programet kulturore ndihmojnë diplomacinë e butë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:24 0:00

Gazeta The Wall Street Journal njoftoi para disa ditësh se administrata amerikane po analizon mundësinë për të shkurtuar disa programe që ofrojnë viza J-1 për shtetas të huaj. Programet janë krijuar me synimin për t’u ofruar mundësi shtetasve të huaj të prezantohen nga afër me kulturën dhe eksperiencën amerikane. Ilir Zherka, i cili përfaqëson një rrjet grupesh që sjellin të rinj nga jashtë me këtë vizë, thotë se një hap i tillë do të dëmtonte diplomacinë e butë amerikane, duke mbyllur një pistë komunikimi dhe mirëkuptimi të drejtpërdrejtë me popujt e tjerë.

Zherka: Programet kulturore ndihmojnë diplomacinë e butë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:24 0:00

Shkurtimet janë ende në fazën e analizës, por Ilir Zherka, Drejtor i Aleancës për Shkëmbime Ndërkombëtare, është në kontakte intensive me zyrtarë të administratës dhe të Kongresit në mbrojtje të programeve të shkëmbimeve kulturore.

Aktualisht flitet për eliminimin e 5 nga 15 kategoritë e shtetasve të huaj që vijnë këtu me vizë J-1, ose 180 mijë shtetas të huaj në vit, sipas zotit Zherka.

“Është një ndikim i ndjeshëm në botë, që prek individë që duan të vijnë në Shtetet e Bashkuara, që prek familje e komunitete që kanë investuar në këta njerëz”.

Ndryshe nga programet e vizave të punës, që jepen për të përmbushur nevojat e tregut amerikan për krah pune në sezone të ngarkuara bujqësore, ose në sektorë me rritje të lartë ekonomike si teknologjia, vizat J-1 konsiderohen pjesë e diplomacisë direkte amerikane. Zoti Zherka thotë se ato kanë shërbyer prej dekadash për të përmirësuar dhe shtuar mirëkuptimin, si dhe kontaktet njerëzore mes shtetasve të huaj dhe amerikanëve:

“Ajo që kemi parë është se kur këta individë vijnë në Shtetet e Bashkuara, pasi kthehen në vendet e tyre kanë një ndikim pozitiv në komunitetet e tyre, pra bëhet fjalë për miliona njerëz jashtë vendit që ndikohen nga këto shkurtime. Këta 180 mijë janë në kontakt direkt me shtetas amerikanë dhe ndihmojnë për të krijuar një mirëkuptim më të madh dypalësh mes amerikanëve dhe kombeve të tjerë”.

Donald Trumpi e pati theksuar vazhdimisht gjatë fushatës së tij se pikësynimi i tij kryesor është mirëqënia e Amerikës dhe e shtetasve të saj si nga ana e sigurisë, ashtu edhe ajo ekonomike.

“Ekziston kjo teori e gabuar se bëhet fjalë për një zëvendësim 1 për 1: nëse një shtetas i huaj vjen këtu dhe punësohet, ai i zë vendin e punës një amerikane. Është teori krejt e gabuar. Papunësia në Shtetet e Bashkuara aktualisht është shumë e ulët, jemi shumë pranë nivelit të mundshëm të punësimit të plotë për një ekonomi. Po ashtu, vendet ku punësohen këta të rinj janë komunitete ku bizneset nuk gjejnë njerëz të mjaftueshëm për të punësuar; ata punësojnë të gjithë amerikanët që mund të gjejnë, sjellin disa të huaj, megjithatë ende kanë vende bosh. Këto mungesa përmbushin shtetasit e huaj që vijnë këtu për punë të përkohëshme,” thotë zoti Zherka.

Por shifrat e fundit të papunësisë në rreth 4.6% në shkallë vendi nuk reflektojnë situatën e vështirë të shumë komuniteteve, përfshirë edhe disa qendra urbane që nuk e kanë kapërcyer depresionin e viteve 2008-2010. Për shembull në qytetin e Baltimorës, sipas shifrave të fundit të Zyrës së Statistikave të Punësimit papunësia mbetet në 6.2% ndërsa në Filadelfia arrin në 7%, por është edhe më e lartë në radhët e komuniteteve pakicë.

Zoti Zherka dhe përkrahës të tjerë të programeve për shkëmbime ndërkombëtare theksojnë se programet e vizave J-1 nuk janë krijuar për synime ekonomike, por për zgjerimin e diplomacisë së butë dhe sjellin një përfitim të pallogaritshëm që vihet në rrezik nën administratën Trump.

“Kjo administratë po përpiqet të shkurtojë 50% programet që financohen nga qeveria amerikane për shkëmbime kulturore e shkencore, si dhe të eliminojë mbi 50% programet që financohen nga sektori privat. Kjo është një politikë e rrezikshme për sigurinë kombëtare dhe ne po punojmë për ta parandaluar”.

Është një tjetër shembull i përplasjes mes frymës populiste që është shfaqur në politikat e administratës së re dhe politikave globaliste të ndjekura nga administratat e mëparshme që tani janë vënë në rrezik. Zoti Zherka thotë se po vazhdon punën përmes Kongresit dhe aktorëve të tjerë në Uashington për të mbrojtur programet e shkëmbimeve kulturore nga eliminimi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG