Lidhje

Programi bërthamor për Korenë e Veriut lidhet me identitetin e vendit


Koreja e Veriut po i paralajmëron udhëheqësit botërorë të mos ngrenë çështjen e armëve bërthamore të vendit në një takim që mbahet këtë javë në Korenë e Jugut. Vendi i izoluar thotë se do ta konsideronte “shpallje lufte” çdo deklaratë mbi çështjen e programit të Koresë së Veriut në Takimin e Sigurisë Bërthamore. Në vazhdim, korrespondenti i Zërit të Amerikës në Seul Steve Herman i bën një analizë kësaj çështjeje.

Në një kohë kur tensionet po shkallëzohen përsëri me shpejtësi në gadishullin Korean, në Seul do të mbahet takimi ndërkombëtar i nivelit të lartë, ku pritet të marrin pjesë edhe presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe të Kinës.

Takimi për Sigurinë Bërthamore synon t’ua vështirësojë terroristëve të sigurojnë materialet e nevojshme për prodhimin e armëve bërthamore. Koreja e Veriut e paralajmëroi të mërkurën Seulin se një rezolutë e mundshme në takim lidhur me programin bërthamor të vendit do të shihet si një provokacion, që konsiderohet “akt lufte”.

Megjithëse Koreja e Veriut nuk është një temë në rendin e ditës për t’u diskutuar në takim, zyrtarët thonë se në takimet e veçanta dy-palëshe mes udhëheqësve është e sigurtë që do të diskutohet për programet bërthamore dhe ato të raketave të Phenianit.

Javën e kaluar Koreja e Veriut tha se ka në plan të hedhë një satelit në orbitë në mesin e muajit prill. Ky njoftim u dënua nga bashkësia ndërkombëtare, sipas së cilës çdo lëshim rakete në hapësirë shkel paktin për ndalimin e përdorimit të teknologjisë së raketave nga Koreja e Veriut.

Ky njoftim po ashtu duket se shkel një marrëveshje të përbashkët mes Uashingtonit dhe Phenianit, të shpallur vetëm disa javë më parë, sipas së cilës Koreja e Veriut do të pezullonte disa nga programet bërthamore në këmbim të ndihmës ushqimore. Megjithatë, Pheniani thotë se marrëveshja mbetet në fuqi dhe i fton inspektorët bërthamorë të Kombeve të Bashkuara të kthehen në vend.

Leo Sigal, këshilltar i qeverisë amerikane për strategjinë ndaj Koresë së Veriut, thotë se është e vështirë të imagjinosh në të ardhmen zhvillimin e diplomacisë mes SHBA dhe Koresë së Veriut, në se Pheniani vazhdon të hedhë ato që i quan satelitë për observimin e

“Hedhja e raketës do ta dëmtonte besimin mes të dy palëve. Në se nuk ndalohet ky veprim, më vjen keq të them, por dialogu i frutshëm do të merrte fund.”

Ministri i Bashkimit i Koresë së Jugut, Yu Woo-ik, gjatë një fjalimi që mbajti në një konference në Seul, tha se hedhja e raketës, përpjekja e tretë Phenianit në këtë fushë, është e pakuptimtë për një vend, ku populli është i uritur dhe i shtypur.

Analistët thonë se Koreja e Veriut me sa duket ka disa armë bërthamore, por i mbetet ta perfeksionojë teknologjinë, për t’i bërë ato me përmasa të vogla, që të vendosen mbi një raketë. Po ashtu, Pheniani nuk ka treguar se mund ta realizojë me sukses një hedhje të tillë. Studjuesi dhe profesori i Universitetit Stanford, Siegfried Hecker ka qenë 7 herë në Korenë e Veriut. Në vitin 2010 koreanoveriorët i treguan atij një objekt ku pasurohet uranium i gradës së nevojshme për armë bërthamore.

Në konferencën rajonale për çështjet bërthamore, prof. Hecker tha se riangazhimi dhe diplomacia me Phenianin është mënyra e vetme për t’i bindur koreanoveriorët që të heqin dorë nga ambiciet bërthamore.

“Ne duhet të jemi të aftë t’i bindim ata se ky është më tepër një detyrim që ata kanë ndaj komunitetit ndërkombëtar, se sa një pasuri për vendin. Por për të bërë këtë, koreanoveriorët duhet të ndjehen të sigurtë. Pra, mbetet shumë punë për t’u bërë. Kështu ne duhet të krijojmë kushtet që kosto e mbajtjes së armëve të jetë shumë më e lartë se sa përfitimet nga heqja dorë prej tyre.”

Duke folur në të njëjtën konference, Peter Beck, i Fondacionit të Azisë, dha argumente për nevojën e një verifimit të situatës së zhvillimit bërthamor të Koresë së Veriut.

“Ne nuk mundet ta ndalojmë programin bërthamor të Koresë së Veriut. Ajo që mund të bëjmë është pezullimi i këtij programi. Dhe kjo sigurisht që është e papranueshme nga Washingtoni, Seuli dhe Tokio, por në fakt, ky është realiteti me të cilin ndeshemi. Për Korenë e Veriut ka rëndësi të jashtëzakonshme të qënit një fuqi bërthamore. Kjo çështje lidhet së tepërmi me identitetin e tyre.”

Studjuesit e Koresë së Veriut po ashtu paralajmërojnë se Pheniani së shpejti mundet të përpiqet të realizojë atë që e cilëson lëshimin në hapësirë të një rakete, pasi ka zhvilluar provën e tretë nën Tokë të një pajisjeje bërthamore.

XS
SM
MD
LG