Lidhje

Prokurori i Posaçëm Mueller përfundon hetimin për Rusinë


Prokurori i Posaçëm Robert Mueller ka përfunduar hetimin e tij thuajse dyvjeçar rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016 dhe rreth një bashkëpunim të mundshëm të fshehtë të fuashtës Trump me Rusinë.

Departamenti i Drejtësisë njoftoi se zoti Mueller i dorëzoi të premten raportin e tij përfundimtar kreut të këtij departamenti, Prokurorit të Përgjithshëm William Barr, i cili po e shqyrton.

Sipas një zyrtari të Departamentit të Drejtësisë, zoti Mueller nuk do të rekomandojë ngritje aktakuzash të tjera në hetimin për Rusinë.

Raporti i zotit Mueller, ende konfidencial, pritet të shndërrohet në një arenë për beteja të ashpra publike që do të vijojnë.

Hapat e ardhshëm që mund të ndërmerren pas dorëzimit të raportit të shumëpritur do të varen tani nga Prokurori i Përgjithshëm Barr, nga Kongresi dhe, me shumë gjasë, gjykatat federale.

Nuk është e qartë se sa pjesë të raportit do t’i vihen në dispozicion publikut ose do t'i jepen Kongresit. Zoti Barr ka thënë se do të hartojë raportin e tij ku do të përmbledhë faktet e gjetura nga zoti Mueller.

Hetimi i zotit Mueller ka hedhur hije mbi presidencën Trump dhe ka rezultuar në akuza kriminale kundër 34 personave, duke përfshirë gjashtë vetë që shërbenin në ekipin e fushatës së zotit Trump.

REAGIMET E PARA

Kryetari republikan i Komisionit Juridik të Senatit Lindsey Graham tha se pret që ai dhe demokratja kryesore e komisionit, Dianne Feinstein, të informohen në "ditët e ardhshme" rreth raportit të zotit Mueller.

Senatori Graham tha se shpreson që të informohet në mënyrë më të plotë rreth raportit. Sipas tij, ishte e rëndësishme që zoti Mueller ta bënte punën e tij "pa ndërhyrje, dhe kjo u arrit".

Kreu i Departamentit të Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm William Barr, tha se Departamenti i tij nuk e pengoi prokurorin e posaçëm Robert Mueller në veprimet e ndërmarra gjatë hetimit për Rusinë.

Zotit Barr i kërkohet t’i tregojë Kongresit çdo rast për të cilin ai ose Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein mund të kenë vendosur që ky ose ai propozim i zotit Mueller të mos vihet në zbatim.

Zoti Barr tha në letrën e tij drejtuar anëtarëve të Kongresit të premten se “raste të tilla nuk ka patur”.

Prokurori i Përgjithshëm njoftoi katër ligjvënës kryesorë se ai mund t'i informajë ata për raportin gjatë fundjavës.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell thotë se mirëpret lajmin e përfundimit të hetimit.

Zoti McConnell tha se ai dhe republikanët e tjerë prej kohe besojnë se Rusia përbën një kërcënim të madh për interesat amerikane, duke shtuar se ai shpreson se raporti i zotit Mueller do të "ndihmojë në informimin dhe përmirësimin e përpjekjeve për të mbrojtur demokracinë në SHBA".

TRUMP: RAPORTI LE TË BËHET PUBLIK

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se raporti përfundimtar i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller duhet të bëhet publik.

Por presidenti përsëri vuri në pikëpyeti bazat për hetimin, gjatë të cilit është shqyrtuar gjithashtu nëse vetë presidenti e ka penguar hetimin.

"Nëse doni që publiku ta shoh raportin, le ta shohin," u tha presidenti Trump gazetarëve.

Presidenti Trump vuri në pikëpyetje se si prokurori Mueller - një njeri " i cili kurrë nuk ka marrë asnjë votë" - mund ta hetojë atë (Presidentin), duke pasur parasysh fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2016.

Presidenti Trump e ka quajtur në mënyrë të përsëritur hetimin e prokurorit Mueller një "gjueti të paligjshme shtrigash" gjatë dy viteve të fundit dhe e ka etiketuar ekipin e tij të hetuesve politikisht të njëanshëm.

Ndërsa prokurori Mueller ka lënë pak të kuptohet për mënyrën se si ai e sheh presidentin Trump dhe familjen e tij, si objektiva të mundshëm të hetimit, presidenti dhe Shtëpia e Bardhë kohët e fundit e shtuan fushatën e tyre politike për të minuar legjitimitetin e hetimit.

"Asnjë bashkëpunim, nuk ka patur asnjë bashkëpunim", deklaroi presidenti Trump të mërkurën.

"Ishte fitorja më e madhe elektorale në historinë e vendit tonë, një nga më të mëdhatë," tha ai. "Ishte një sukses i madh, dhjetëra miliona votues .Tani dikush do të shkruajë një raport, dhe ky është një njeri që kurrë nuk ka marrë ndonjë votë".

"Do të shohim se çfarë thotë raporti. Le të shohim nëse është e drejtë."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG