Lidhje

Propaganda ruse për Ukrainën


Propaganda e Rusisë për konfliktin në Ukrainë ka arritur shpesh nivele absurde, si p.sh. emërtimin e udhëheqësve të qeverisë ukrainase si “nazistë” apo “fashistë”, me synimin për të ringjallur emocionet e Luftës së Dytë Botërore. Një restorant i hapur rishtazi në Kiev, i quajtur “Ndëshkuesi”, bën humor me propagandën dhe politikën prapa konfliktit.

“Lavdi nazistëve!”, bërtet kamarieri kur klientët në Kiev hyjnë në restorantin ‘Karatel’, që do të thotë ‘Ndëshkuesi’.

Loja e fjalëve me moton kombëtare “Lavdi Ukrainës!” përqesh propagandën ruse e cila e quan revolucionin ukrainas një lëvizje fashiste.

Pronari Eugene Vasyliev thotë se është një operacion me humor.

“Duke e zëvendësuar propagandën me absurden, u provojmë njerëzve se nuk janë asgjë përveçse gënjeshtra.”

Menuja ka titullin në gjermanisht, “Rroftë Junta”, sipas termit të përdorur për qeverinë në Kiev nga media shtetërore ruse.

Ushqimet në menu, si p.sh. patate me cironka të quajtura “Marrëveshja e Minskut”, tallen me negociatat që deri më tani nuk i kanë dhënë dot fund konfliktit të Ukrainës.

Ndërkohë që të tjera, si p.sh. “separatist zgare”, pothuajse shkelin kufirin e shijes së mirë. Afaristja Yulia mendon se koncepti nuk është dhe aq i papërshtatshëm.

“Meqë ka luftë, kjo nuk do të thotë që ne të fshihemi diku dhe të presim që të ndodhë diçka e keqe.”

Por, disa pjesëtarë të batalioneve ukrainase, si batalioni Azov, shfaqin prirje fashiste, të cilat shfrytëzohen nga Kremlini.

Rusia po i rikthehet metodave të propagandës së stilit sovjetik, thotë shkencëtari politik Vladyslav Grynevych.

Ai gjithashtu paralajmëron se të dyja palët po përdorin ofendime të rënda, të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

“Kur të ribashkohemi, gjë që do të ndodhë dikur, atëherë do të na duhet të gjejmë një lloj konsensusi. Dhe sa më pak plagë të dhimbshme t’i shkaktojmë njëri-tjetrit, aq më e lehtë do të jetë të bashkëjetojmë.”

Peter Pomerantsev është autor i një libri rreth propagandës së Kremlinit, të titulluar “Asgjë nuk është e vërtetë, dhe gjithçka është e mundur”.

Ai thotë se parodia mund të jetë një mjet i fuqishëm kundër propagandës, por e cila përdoret edhe nga shtete neo-autoritarë, si Rusia.

“Nëse e shqyrton propagandën ruse, ajo është shumë satirike. Nuk është e mundur të kuptosh kur po tregohen ironikë dhe kur jo. Dhe gjithçka bëhet me një buzëqeshje shumë satirike. Kështu që, nuk mendoj se vetë humori do të jetë kundërpërgjigja magjike.”

Pomerantsev thotë se mënyra e vetme e efektshme për të përballuar propagandën është të fitosh besimin e audiencave, dhe t’i rikthehesh ato drejt një diskutimi të bazuar në realitet.

Ekonomitë dhe shoqëritë lulëzojnë kur kanë informacion të saktë, thotë ai, ndërkohë që ata që jetojnë në një gjendje dizinformimi, janë në fakt duke i hapur varrin vetes.

XS
SM
MD
LG