Lidhje

Moskë, protestë e grupit opozitar "Vullneti"


Moskë, protestë e grupit opozitar "Vullneti"
Moskë, protestë e grupit opozitar "Vullneti"

Protestues të një grupi opozitar, që e quan veten "Vullneti" demonstruan sot në sheshin Bolotnaja të Moskës kundër manipulimit të zgjedhjeve, korrupsionit dhe politikave sociale të Kremlinit. Ky grup, i cili nuk është i lidhur me asnjë lëvizje apo parti të opozitës manifestuan në qendër të qytetit, duke valvitur flamurë rusë dhe sovjetikë si dhe flamurë të partisë komuniste jo parlamentare të punëtorëve rusë.

Demonstruesit protestuan kundër manipulimit të zgjedhjeve dhe standartit të ulët të jetesës, madje u bënë thirrje autoriteteve që të zbatojnë atë që ata e quajnë vullneti i gjithë popullit rus si dhe kërkuan shtetëzimin e kompanive të mëdha industriale dhe të burimeve natyrore.
Kandidatja e pavarur presidenciale, Svetlana Peunova, e cila nuk është regjistruar, tha se Rusia ka nevojë për reforma socialiste.

"Kombinimi i arritjeve më të mira të socializmit, si për shembull garancitë sociale mund të sigurohet nga shteti vetëm kur ajo është pasuri shtetrore. Presidenti Medvedev flet për privatizimin e të gjithë pasurisë shtetrore, që do të thotë se nuk do të ketë më pronarë të vërtetë. Populli varfërohet plotësisht, prandaj mbrojtja e shëndetit, arsimi, kultura dhe bujqësia duhet të sigurohen falas nga shteti", tha zonja Peunova.

Protestuesit kërkuan gjithashtu të drejta të barabarta për të gjithë kandidatët presidencialë.

"Kushtet për kandidatët presidencialë nuk janë të barabarta. Ne kërkojmë të drejta të barabarta për këta kandidatë. Nëse kërkohet mbledhja e 2 mijë firmave për kandidatët e pavarur që të regjistrohen, atëhere kjo duhet t’u kërkohet të gjithë kandidatëve ose të gjithë kandidatët të marrin pjesë lirisht në zgjedhjet presidenciale", tha një protestuese.

Protesta e sotme pason protestat masive pas zgjedhjeve të dhjetorit në Moskë, të cilat tërhoqën dhjetra mijëra protestues nga parti dhe lëvizje të ndryshme politike.

Protestat, më të mëdhatë e opozitës që prej ardhjes në pushtet të zotit Putin në vitin 1999, pasuan zgjedhjet parlamentare të 4 dhjetorit, për të cilat protestuesit dhe vëzhguesit e huaj thanë se u shoqëruan me manipulime dhe shkelje.

Protesta të tjera priten në fillim të shkurtit, një muaj para zgjedhjeve presidenciale të 4 marsit, të cilat mund t’i japin një mandat të tretë zotit Putin në Kremlin edhe për 6 vjet të tjerë.

XS
SM
MD
LG