Lidhje

Putin paralajmëron për një garë të re armatimi


Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi për një garë të re armatimesh, nëse Presidenti Donald Trump i përmbahet kërcënimit për t’u tërhequr nga një prej marrëveshjeve kryesore për kontrollin e armëve. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi se Rusia e ka shkelur traktatin dhe megjithatë hodhi poshtë mundësinë e një riarmatimi bërthamor në Evropë.

Pas bisedimeve me Kryeministrin italian Giuseppe Conte, zoti Putin tha se Rusia është përgatitur për t’iu përgjigjur vendosjes nga Shtetet e Bashkuara të raketave me rreze të mesme në Evropë.

“A do të përgjigjemi dot? Po, do të përgjigjemi me shpejtësi dhe efektshmëri. Cili mund të ishte preteksti formal i partnerëve tanë për të dalë nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme? Akuzat se ne e kemi shkelur atë. Por, si zakonisht, nuk paraqitet asnjë provë. Dhe Shtetet e Bashkuara e kanë shkelur traktatin tashmë”, - deklaroi zoti Putin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, fajësoi të mërkurën Rusinë për shkelje të traktatit që Presidenti Trump dëshiron të braktisë.

“Shpjegimi më i pranueshëm është se Rusia ka shkelur traktatin. Pra, problemi qëndron tek sjellja e rusëve, të cilën e kemi parë prej vitesh dhe për të cilën kemi deklaruar se nuk mundet të vazhdojë kështu. Nuk mund të kemi një traktat mes dy palëve, që respektohet nga vetëm njëra prej tyre”, tha zoti Stoltenberg.

Zoti Stoltenberg tha se nuk parashikon një garë armatimi bërthamor në Evropë.

Traktati i nënshkruar nga ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev dhe ish-Presidenti amerikan Ronald Reagan, u ndalon të dyja vendeve të prodhojnë, testojnë dhe magazinojnë raketa tokësore bërthamore me rreze veprimi nën 5 mijë kilometra.

Presidenti Trump akuzon Rusinë se ka shkelur traktatin duke pozicionuar raketa tokësore të lëvizshme për të kërcënuar NATO-n.

Rusia e mohon ketë duke thënë se shkelje janë sistemet mbrojtëse anti-raketë të vendosura nga Shtetet e Bashkuara në Evropë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG