Lidhje

Putin: Kundërpërgjigje ndaj sistemit mbrojtës me raketa


Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se nuk ka zgjedhje tjetër veçse të kundërpërgjigjet ndaj Shteteve të Bashkuara lidhur me sistemin e mbrojtjes nga raketat në Evropë.

Presidenti rus, gjatë një udhëtimi dje në Athinë tha se do t’i duhet t’i kundërpërgjigjet dislokimit amerikan të sistemit anti-raketë në Poloni dhe Rumani.

“Nëse deri dje në këto zona të Polonisë njerëzit nuk e dinin çfarë do të thotë të jetosh në shenjestër të pushkës, sot jemi përballë faktit që na detyron të marrim masa për të garantuar sigurinë tonë,” tha zoti Putin, pas takimit me kryeministrin grek Alexis Tsipras.

Zoti Putin, i cili ka shprehur revoltim ndaj sistemit amerikan të mbrojtjes nga raketat duke e cilësuar kërcënim për sigurinë ruse, nuk dha hollësi lidhur me metodat konkrete që mund të përdorë Rusia si kundërpërgjigje. Ai tha vetëm se Rusia në këtë rast nuk po ndërmerr hapin e parë, por thjesht po i përgjigjet veprimit amerikan.

Uashingtoni nuk u është përgjigjur komenteve të fundit të udhëheqësit rus lidhur me sistemin e mbrojtjes nga raketat.

Objekti Deveselu në Romani hyri në funksionim këtë muaj. NATO dhe SHBA kanë thënë vazhdimisht se sistemi është thjesht për nevoja mbrojtëse, por zoti Putin thotë se raketat mund të transformohen lehtësisht në armë sulmi.

XS
SM
MD
LG