Lidhje

Presidenti rus Putin për një vizitë në Japoni


Presidenti rus Vladimir Putin ka shkuar në Japoni për dy ditë bisedime me kryeministrin Shinzo Abe, lidhur me disa mosmarrëveshje territoriale, që i kanë penguar dy vendet të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje, e cila do t’i jepte fund zyrtarisht armiqësive të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore.

Zotin Putin e çuan me autokolonë në një pikë termale në Nagato, vendi i të parëve të kryeministrit japonez.

Para se të fillonin diskutimet, Kryeministri japonez Abe u tha gazetarëve, se shpresonte që burimet e nxehta termale, do t’i lehtësonin bisedimet:

"Këto burime termale të ndihmojnë të marrësh veten nga lodhja. Pra, edhe nëse lodhemi shumë pas bisedimeve, unë premtoj se do të rifreskoheni plotësisht.”

“Është shumë mirë që burimet e nxehta termale të ndihmojnë të marrësh veten. Por mendoj se më e mira është të mos lodhemi nga këto bisedime,”- u përgjigj zoti Putin.

Udhëheqësit do t’i japin fund bisedimeve të premten në Tokio.

Kryeministri japonez shprehu shpresën për zgjidhjen e fatit të katër ishujve në brigjet veriore të vendit, që njihen si Territoret Veriore në Japoni dhe Kurilet Jugore në Rusi.

Ishujt u pushtuan nga forcat sovjetike në vitin 1945, duke detyruar largimin me forcë të rreth 17 mijë banorëve japonezë. I ati i kryeminstrit japonez, që nuk jeton më, ish-ministri i jashtëm Shintaro Abe, u përpoq pa sukses të negocionte me Moskën për ishujt, tre dekada më parë.

Zoti Putin nuk pritet të bjerë dakord për t’i kthyer Tokios kontrollin e katër ishujve. Por vëzhguesit thonë se ai kërkon gjithashtu të sigurojë investime japoneze në Rusi, për të zbutur ndikimin e sanksioneve ekonomike të ndërmarra nën udhëheqjen amerikane për shkak të rolit të Moskës në krizën e Ukrainës.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG