Lidhje

Putin amniston të burgosurit politikë


Në më pak se dy muaj në Soçi të Rusisië hapen Lojrat Olimpike Dimërore. Por për shkak të gjendjes së të drejtave të njeriut në Rusi, presidentët e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Gjermanisë kanë njoftuar se nuk do të shkojnë për t’i parë ato. Ndërkohë Kremlini po merr masat e veta.

Presidenti Vladimir amnistoi personin që është konsideruar për një kohë të gjatë i burgosuri kryesor politik i Rusisë, Mikhail Khodorkovsky-in.

Dikur personi më i pasur në Rusi, Khodorkovsky e sfidoi presidentin e ri Putin në fillim të viteve 2000 duke krijuar një bazë politike. Khodorkovsky që atëhere ishte president i një kompanie nafte u gjykua dhe u dënua nën akuza ekonomike. Ai ka qënë i burgosur për pjesën më të madhe të dekadës së fundit.

Zoti Putin tha një një konferencë shtypi prej katër orësh, se nuk ka të ngjarë të zhvillohet një gjyq i ri kundër Khodorkovsky-it.

Nga ligji i ri rus i amnistisë po ashtu do të përfitojnë edhe këngëtaret e burgossura të grupit muzikor, Pussy Riot, si dhe 28 anëtarë të organizatës Greenpeace që ishin arrestuar dhe pritej të gjykoheshin për shkak të protestave ndaj nxjerrjes së naftës në Arktik nga Rusia. Të dyja këto raste kishin bërë bujë në perëndim.

Amnistimet e këtyre krishtlindjeve duket se kanë për qëllim eliminimin e fërkimeve me perëndimin para Lojrave Olimpike që hapen në Soçi në fillim të shkurtit. Presidentët e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe Francës kanë thënë se nuk do të shkojnë për të parë lojrat.

Kritikat më të shumta të perëndimit përqendrohen në ligjin e ri të Rusisë kundër ekspozimit të të miturve ndaj homoseksualitetit. Aktivistët thonë se ligji është pjesë e një mjedisi homofobik në Rusi. Presidenti Putin iu përgjegj pyetjes së një gazetari amerikan për këtë ligj.

“Për mua, me rëndësi është mbrojtja e shoqërisë tonë nga një sërë sjelljesh që janë të huaja për qytetarët tanë”.

Presidenti i Rusisë foli edhe për një temë që është mjaft e ndjeshme për shumë amerikanë, për Edward Snowden-in, ekspertin amerikan në arrati. Gjashtë muaj më parë analsiti i kompjuterit kërkoi strehim në Rusi, pak pasi bëri publike miliona dosje sekrete të Agjencisë së Sigurimit Kombëtar amerikan.

Në konferencën e shtypit, zoti Putin tha se Snowden është një njeri “fisnik”.

“Në saje të zotit Snowden shumë gjëra kanë ndryshuar një një farë mënyre të mendjen e miliona njerëzve”.

Konferenca vjetore e shtypit të zotit Putin është një zhvillim vjetor që transmetohet në gjithë vendin dhe ndiqet nga 1000 gazetarë.

Që në fillim, presidenti i Rusisë foli për programin e ndihmës për Ukrainën. Rusia ka pranuar t’i japë një hua prej 15 miliardë dollarësh Ukrainës dhe të ulë çmimet e gazit me një të tretën.

Duke vënë në dukjke se paketa e shpëtimit për Ukrainën nuk është popullore në një kohë kur ekonomia e Rusisë ka ngecur, zoti Putin tha se kjo është një ndihmë vllazërore për popullin e Ukraninës dhe jo një masë për të mbështetur qeverinë.

“Nëse ne themi se populli i Ukrainës është një popull vëlla, atëhere ne jemi të detyruar të veprojmë si të afërm të tij dh eta ndihmojnë atë në këtë gjendje të vështirë”.

Presidenti i Rusisë nuk e pranoi se ndihma e tij e madhe për Ukrainën ka për qëllim ta pengojë këtë vend të hyjë në Bashkimin Evropian. Ai argumentoi se nëse Ukraina nënshkruan marrëveshjen e tregtsë së lirë me Evropën, industria e saj e periudhës sovjetike do të rënohet dhe se Ukraina do të bëhet një shtojcë agrare e Evropës.

Duke iu referuar shqetësimeve të Rusisë, zoti Putin theksoi se huaja prej 15 miliardë dollarësh do të paguhet. I pyetur për garancitë e huasë, ai u përgjegj thjeshtë se një dekadë më parë, Rusia dhe Ukraina diskutuan administrimin e përbashkët të tubacioneve shpërndarës të periudhës sovjetike që transportojnë gaz natyror nga Rusia në Evropë nëpërmjet Ukrainës.

Disa analistë thonë se nëse Rusia do të fitonte pronësinë e rrjetit gazsjellës, ajo mund të braktisë projektin prej 20 miliardë dollarësh për ndërtimin e një gazsjellësi nën det që kalon përreth Ukrainës.
XS
SM
MD
LG