Lidhje

Lojrat Olimpike dhe imazhi i Putinit


Lojrat Olimpike Dimërore të Soçit ishin projektuar për të qenë moment kurorëzimi për presidencën e udhëheqësit rus Vladimir Putin. Por disa shtrojnë pyetjen nëse ato do të kthehen në një humbje për imazhin e njeriut që ndodhet në krye të vendit prej shumë vitesh.

Lojrat Dimërore që do të hapen të premten, do të jenë më të shtrenjtat në historinë e Olimpikut.

Me një kosto prej 50 miliardë dollarësh, ato janë katër herë më të shtrenjta nga parashikimi në vitin 2007, kur Rusia fitoi të drejtën për organizimin e tyre.

Elena Panfilova, drejtoreshë e organizatës Transparency International në Rusi, thotë se korrupsioni dhe shpenzimet e tepruara po shqetësojnë shumë rusë rreth Lojrave Olimpike.

“Korupsioni është jashtë kontrollit. Edhe tek ata që nuk duhet të marrin para, nuk duhet të vjedhin, nuk duhet të ngrenë çmimet – veçanërisht shërbimet sociale. Edhe ata, të cilëve iu kërkua të ndalnin praktika të tilla. Dhe në këtë situatë, është e vështirë të entusiazmohesh për Lojrat,” thotë zonja Panfilova.

Në vend që ta shohin këtë si festë kombëtare, disa rusë i shohin Lojrat Olimpike si një moment egoizmi të presidentit Putin. Mark Galeotti, profesor në Universitetin e Nju Jorkut thotë se nuk duhet të kishte ndodhur kështu.

“Kur Rusia fitoi të drejtën e Lojrave, çdo gjë po shkonte sipas planit të zotit Putin. Ekonomia ishte gjallëruar. Politikisht ai ishte i pasfidueshëm dhe kështu Soçi do të ishte një festë e madhe për Rusinë e re. Lojrat do t’i tregonin botës se Rusia ishte aq e pasur sa të shpenzonte para për një ngjarje të tillë dhe ta organizonte mirë”.

Por ritmi i rritjes ekonomike të Rusisë ra vitin e kaluar në 1,3 përqind, një rritje e vogël nga pesë përqindëshi që premtoi zoti Putin kur garoi për t’u rizgjedhur dy vjet më parë. Tani gjysma e rusëve të anketuar thonë se nuk duan që ai të verë përsëri kandidaturën.

I kritikuar si autoritar, presidenti Putin nxorri nga burgu në dhjetor Mikhail Khodorkovsky-n, një nga rivalët e tij kryesorë politikë.

Duke komentuar për gazetarët në Gjermani, zoti Khodorkovsky tha se shpreson që zoti Putin të mbajë premtimin për të mos u bërë president i përhershëm.

Por lirimi i zotit Khodorkovski nuk e ndryshoi pikëpamjen e perëndimit për presidentin Putin. Shitjet e biletave për të huajt për Lojrat Olimpike janë dobët. Të huajt janë të shqetësuar për sigurinë, për kostot e larta të udhëtimit dhe për ligjet ruse kundër homoseksualëve.

Javën e kaluar, udhëheqësit e Bashkimit Evropian e shkurtuan takimin dyditor me Putinin në vetëm tre orë. Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Britanisë nuk do të shkojnë në Soçi për Lojrat.

Por presidenti Putin shpreson se opinionet negative do të harrohen të premten mbrëma kur në Soçi të fillojnë fishekzjarret.

XS
SM
MD
LG