Lidhje

Qarqet mjekësore debatojnë se sa duhet të jetë sasia e kripës në ushqim


Qarqet mjekësore debatojnë se sa duhet të jetë sasia e kripës në ushqim
Qarqet mjekësore debatojnë se sa duhet të jetë sasia e kripës në ushqim

Një studim i ri botuar në një revistë të njohur mjekësore amerikane arrin në përfundimin se dieta me pak kripë mund të çojë në sëmundje të zemrës. Zyrtarët amerikanë të shëndetit publik thonë se amerikanët përdorin shumë kripë në ushqime. Studimi i fundit ka shkaktuar debate rreth kësaj çështjeje.

Polemika filloi kur studimi i publikuar në Revistën e shoqatës amerikane të mjekësisës, JAMA, i kundërshtoi këshilla nga zyrtarët e shëndetit publik dhe specialistët për sëmundje zemre, dhe rekomandoi konsumin e kripë.

Studimi përfshiu më shumë se 3.600 burra dhe gra dhe i vëzhgoi ata për tetë vjet deri sa pjesmarrësit mbushën 49 vjeç. Kur të dhënat u analizuan, u vu re se ata që kishin konsumuar sasi më të ulët të kripës kishin më shumë gjasa të vdisnin nga sëmundje kardiovaskulare. Sipas studimit, konsumi i kripës shkaktoi tensionin të lartë të gjakut për rreth 2.000 pjesëmarrës.

Ky studim u prit mirë nga industria amerikane e prodhimti të kripës. . Lori Roman është presidente e Institutit të Kripës, që kryen kërkime për këtë industri.

"Dëshmitë vazhdojnë të rriten ... se pakësimi i natriumit mund të jetë i dëmshëm, dhe se pakësimi i kripës në ushqim si një strategji për të ulur presionin e gjakut nuk është zgjidhja më e mirë."

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve , e kritikoi hapur studimin mbi kripën, diçka që kjo agjenci federale rrallë bën. Doktor Peter Briss pranë kësaj agjencie, thotë studimi nuk ndryshon provat që flasin kundër përdorimit të kripës.

"Kripa rrit presionin e gjakut dhe kjo rritje çon në sëmundje kardiovaskulare."

Dr Briss thotë se studimi u krye mes një numëri të pakët njerëzish dhe pjesmarrësit ishin relativisht të rinj në moshë. Ai shton se disa nga pjesëmarrësit që kanë vdekur kanë qenë duhanpirës. Dr Briss thotë se nuk ka prova se pakësimi i kripës në ushqim është i dëmshëm. Kësaj pikëpamjeje i bën jehonë edhe doktor Stephen Havas, ekspert për sëmundje kardiovaskulare.

"Studimi duhet parë në kontekstin se sa shumë prova ekzistojnë. Organizata Botërore e Shëndetësisë u referohet provave mbi efektet e dëmshme të natriumi duke i quajtur "përfundimtare."

Në studimet mjekësore, fjala "përfundimtare" përdoret rrallë. Në Shtetet e Bashkuara, paralajmërimet në paketat e cigareve thonë se duhani "mund" të shkaktojë dhe nuk thonë "shkakton" kancer të mushkërive dhe sëmundje të zemrës. Por një shumicë mjekësh janë dakord se përdorimi i kripës më shumicë në ushqim shkakton sëmundje kardiovaskulare.

Zyrtarët amerikanë të shëndetit publik thonë se kufiri i sipërm i marrjes së kripës duhet të jetë 2300 miligram në ditë. Shoqata Amerikane e Zemrës thotë se ky nivel duhet të jetë jo më i lartë se 1500 miligram.

Instituti i Kripës thotë se 2300 miligram është shumë pak.

Lori Roman e këtij instituti thotë:

"Njerëzit duhet të marrin diku mes 2500 dhe 4500 miligram kripë në ditë dhe kjo është shumë normale dhe e natyrshme."

Dr Stephen Havas i Qendrës Mjekësore pranë universitetit të Marilandit thotë:

"Ju rrezikoheni nga një goditje në zemër ose në tru, nëse konsumoni më shumë kripë siç është duke rekomanduar Instituti i Kripës."

Sa për studimin, Dr Havas thotë se është i dobët dhe metodologjia e tij me të meta. Zyrtarët e shëndetit publik janë të shqetësuar sepse studimi është botuar në një revistë prestigjioze mjekësore.

Dr Stephen Havas thotë:

"Studimi vetëm ngaterron publikun. Nuk duhej të ishte shpallur dhe sigurisht nuk duhej të ishte botuar nga një revistë prestigjioze."

Instituti I Kripës thotë se do të dëshironte përsëritjen e një studimi të tillë. Ndërkohë, qarqet mjekësore këmbëngulin se njerëzit duhet të kufizojnë përdorimin e kripës, duke ndjekur njëkohësisht një dietë të shëndetshme, ushtrime fizike dhe nëse mbipeshë, të humbasin të paktën disa nga kilogramet e të tepërta.

XS
SM
MD
LG