Lidhje

Qendra tregtare transformon Manhatanin


Rihapja e qendrës tregëtare në vendin ku ndodhën sulmet e 11 shtatorit 2001 në Nju Jork, do ta shndërrojnë përvojën e blerjeve në Manhattan. Dyqane të firmave nga Apple deri tek Longines do t’i shërbejnë një klientele gjithnjë e më të larmishme, përveç bankierëve të Wall Street-it. Qendra tregtare njëkohësisht do t’u shërbejnë edhe turistëve që vizitojnë memorialin dhe muzeun e 11 shtatorit.

Nën hijen e Qendrës Botërore të Tregëtise, 60 nga mbi 100 dyqanet që do të vendosen në kompleks, hapën këtë muaj dyert për klientët.

Qendra tregëtare shtrihet në një hapësirë në nivelet e poshtme që përfshin bazën e tre grataçelave me zyra.

Ditën kur hapi dyert, qendra tregëtare ishte mbushur me blerës dhe kureshtarë që donin ta shihnin qendrën e re.

"Mendoj se është e mrekullueshme. Më pëlqen shumë mënyra se si e kanë transformuar. Mendoj se do t’i risjellë turistët në këtë zone”, thotë Raven Smith-Parris.

"Mendoj se rindërtimi i Qendrës është shumë pozitiv për komunitetin. Kemi pritur për një kohë të gjatë që ky objekt të arrijë në këtë nivel”, thotë Jeff Rutzky.

Kompania që ka në pronësi Qendrën Tregëtare Westfield thotë se 15 milionë udhëtarë pritet të vizitojnë këtë zonë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera vitin e ardhshëm.

Mbi 60 mijë banorë jetojnë shumë pranë zonës së Qendrës Botërore të Tregëtisë, pothuajse tre herë më shumë sesa para 11 shtatorit.

Ekspertët thonë se qendra e dikurshme tregëtare në këtë vend ishte një nga më të suksesshmet në botë dhe kompanitë që janë vendosur në këtë vend, shpresojnë që bizneset e tyre të jenë edhe më të suksesshme.

Për shumë vetë, qendra tregëtare simbolizon përparimin e bërë në rindërtimin dhe rigjallërimin e zonës që pas sulmeve të 11 shtatorit.

"Do të thotë një ndikim i madh për komunitetin, për çdo gjë përreth nesh. Është e mrekullueshme të kesh diçka kaq të bukur këtu dhe njëkohësisht të ndihmosh komunitetin”, thotë Ed Turczyn.

"Ndërsa vija këtu, më erdhi në mendje 11 shtatori. Më kujtohet kur kullat u ndërtuan në fillim. Jam pothuajse 50 vjeç dhe për 30-vjetorin, hipa në majë të kullës. Tani që shoh ndërtimet e reja, pas shkatërrimit, më besoni është kuptimplotë për mua”, thotë Derrick Wilson.

40 bizneset e tjera të qendrës do të hapen në periudhën e festave dimërore.

XS
SM
MD
LG