Lidhje

Qëndrimi i Turqisë për armatimin e opozitës siriane


Këshilli Kombëtar Sirian ka bërë thirrje për krijimin e një qendre për lehtësimin e armatimit të opozitës në Siri. Kjo ka shkaktuar një dilemë për Ankaranë, e cila ka mbështetur fuqishëm opozitën por është stepur, të paktën publikisht, të mbështesë armatosjen e opozitës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Ankaraja është treguar e përmbajtur në komentet e saj mbi thirrjen e Këshillit Kombëtar Sirian për krijimin e një qendre që do t’i jepte mbështetje me armë Ushtrisë së Lirë Siriane, një forcë e armatosur që po lufton kundër forcave qeveritare.

Këshilli Kombëtar Sirian apo SNC sic njihet, një organizatë ombrellë e përbërë nga grupe opozitare, bëri thirrje të enjten në Paris dhe tha se Turqia mund të jetë vendi i mundur për këtë qendër.

Por në një takim javën e kaluar mes drejtuesve të SNC-së dhe ministrit të jashtëm turk, të dyja palët mohuan diskutimin e çështjes, duke thënë se bisedimet u përqëndruan tek takimi i ardhshëm i grupit ndërkombëtar “Miqtë e Sirisë”, të planifikuar për tu mbajtur muajin tjetër në Stamboll.

Grupi "Miqtë e Sirisë" bashkon vendet arabe dhe perendimore që mbështesin opozitën siriane.

Ankaraja vazhdon t’i bëjë presion Damaskut për shkak të shtypjes së përgjakshme të disidentëve.

Ministri i jashtëm turk Ahmet Davutoglu e kritikoi ashpër qeverinë siriane para disa ditësh në një konferencë shtypi me homologun e tij italian.

Ai thotë se ushtria siriane po masakron popullin e vet. Ndërsa më parë qeveria i përdorte sulmet vetëm kundër protestuesve, tani ajo po bombardon lagje civilësh pa dallim. Zoti Davutoglu tha se kjo nuk është e pranueshme as në luftë.

Turqia pretendon se ka strehuar rreth 10 mijë sirianë që janë larguar nga konflikti. Me forcat siriane që po afrohen më pranë qendrave të banimit në kufi me Turqinë, priten sulme të tjera.

Ankaraja ka lejuar gjithashtu Këshillin Kombëtar Sirian të opozitës dhe anëtarë të Ushtrisë së Lirë Siriane të kenë baza në territorin e saj. Por qeveria turke i ka rezistuar, të paktën publikisht, mbështetjes për furnizimin e opozitës me armatime.

Semih Idiz, një gazetar për të përditshmen Milliyet, thotë se thirrja publike e SNS-së për armatimin e opozitës e vuri në pozitë të vështirë Ankaranë.

"Kjo e lë Turqinë në një situatë të vështirë. Ajo bie ndesh me qëndrimet në të kaluarën. Pikërisht me mos ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera. Angazhimi në këtë lloj forme me përfshirje ushtarake në në vend tjetër mund t’i kushtojë Turqisë në mënyra të tjera."

Ankaraja shqetësohet se çdo mbështetje për furnizimin me armë të opozitës në vendin fqinj mund të hap dyert e kundërpërgjigjes nga Damasku duke ofruar mbështetje për grupin rebel kurd, PKK. Ky grup ka luftuar kundër shtetit turk për më shumë të drejta që nga viti 1984, dhe shumë nga anëtarët e tij janë kurdë sirianë.

Por eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Soli Ozel në Universitetin Kadir të Stambollit paralajmëron se me intensifikimin e shtypjes së disidentëve në Siri, hapërisa e Ankarasë për të manovruar po bëhet gjithnjë e më e kufizuar.

"Turqia është në një pozicion të vështirë. Ajo ka bërë shumë deklarata rreth fuqisë dhe influencës së saj. Ajo po tërhiqet në një moçal dhe po i kërkohet të bëjë gjëra që nuk dëshiron ti bëjë. Turqia kërkon një farë legjitimiteti ndërkombëtar, të cilin nuk e morri dot nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.”

Vëzhguesit thonë se mbështetja nga Këshilli i Sigurimit nuk ka të ngjarë të ndodhë, me anëtarët e përhershëm si Kina dhe Rusia që do ta kundërshtonin një lëvizje të tillë. Muajin e kaluar, të dyja vendet i vunë veton një lëvizje për të dënuar shtypjen në Siri.

Gazetari Idiz thotë se forumi i ardhshëm i opozitës siriane mund t’i ofrojë Ankarasë sshansin të mbështesë hapur armatimin e opozitës.

"Mendoj se ka një farë konsensusi që ka dalë nga grupi “Miqtë e Sirisë”. Turqia është angazhuar fuqishëm kundër Assadit. Nëse zoti Assad vazhdon të vrasë njerëzit e vet, atëherë nuk do të ketë zgjidhje tjetër. Ajo do të përdorë argumentin se në se do të kishte ndërhyrje në kohën e duhur në Bosnje, nuk do të kishin vdekur 250 mijë njerëz."

Ka spekulime se Ankaraja po ndihmon tashmë me armatime opozitën siriane, ose të paktën po lehtëson këtë veprim – një akuzë që Ankaraja e mohon me forcë. Vëzhguesit paralajmërojnë se po shtohen shqetësimet në vend se Turqia është në rrezik të humbasë kontrollin e fatit të vet në thellimin e krizës në Siri. Këto shqetësime duket se do të shtohen, me Damaskun që po tregon pak shenja për zbutjen e shtypjes së disidentëve.

XS
SM
MD
LG