Lidhje

Qeveria britanike përballë sprovës së votëbesimit


Kryeministrja britanike Theresa May është sot përballë sprovës së votëbesimit pas një humbjeje historike dje në Parlament, kur ligjvënësit britanikë hodhën poshtë me një shumicë të qartë marrëveshjen që ajo kishte arritur me Brukselin për shkëputjen e vendit nga BE-ja.

Shumë nga ligjvënësit e partisë së saj konservatore votuan kundër marrëveshjes, por zonja May është zotuar të vazhdojë punën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, Evropa ka paralajmëruar se po shtohet rreziku që Britania të përfundojë pa një marrëveshje për shkëputje:

Protestues në të dy anët e debatit qëndruan deri në orët e vona të natës mbrëmë para Parlamentit.

Brenda parlamentit votimi dje arriti një pikë kulmore:

“Vota pro: 202. Vota kundër: 432,” deklaroi kryetari i Dhomës së Komuneve.

Kjo ishte disfata më e rëndë në afro 100 vjetët e fundit të historisë së Britanisë. Pritej që kryeministrja të ofronte dorëheqjen, por ajo u betua të vazhdojë.

“Qeveria e dëgjoi mesazhin e Dhomës së Komuneve por u kërkoj anëtarëve të të dyja partive të dëgjojnë mesazhin e popullit, i cili do që kjo çështje të zgjidhet”, tha Theresa May, Kryeministrja e Britanisë.

Kryeministrja do të ballafaqohet me sprovën e votëbesimit sot, të paraqitur nga udhëheqësi i laburistëve, Jeremy Corbyn.

“Ajo nuk mund të besojë vërtetë se pas dy vjet dështimesh do të jetë në gjendje të negociojë një marrëveshje më të mirë për popullin e këtij vendi,” tha zoti Corbyn.

Megjithë humbjen të martën, pritet që zonja May ta marrë votëbesimin sot. Ajo është betuar të përpiqet për konsensus në të ardhmen. Zonja May shpreson që të arrijë të bindë BE-në që të ofrojë më shumë lëshime për të kënaqur parlamentin.

“Mund të jetë diçka sipërfaqësore që u jep mundësi deputetëve të thonë se shqetësimet e tyre janë marrë parasysh në këtë dokument të Bashkimit Evropian, prandaj tani mund të votojnë ndryshe dhe të mbështesin kryeministren, ose së paku të abstenojnë,” thotë analisti Anand Menon.

Por BE-ja ka përjashtuar mundësinë e rinegociimit të marrëveshjes. Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker tha pas votimit të djeshëm se është shtuar rreziku i një shkëputjeje të pakontrolluar.

Parlamentarë rivalë britanikë tani po përgatiten për hapin e ardhshëm. Disa parlamentarë pro-Brexitit duan një shkëputje pa marrëveshje. Të tjerë duan një shkëputje të butë dhe kanë kërkuar një referendum të dytë.

“Përballemi me një numër skenarësh, por asnjë prej tyre me shanse të forta për t’u realizuar. Për shembull miratimi i marrëveshjes, apo një referendum tjetër, ose zgjedhje të parakohëshme. Por njëri prej tyre do të bëhet,” thotë analisti Menon.

Ndërkaq, protestat po ndizen.

“Mbi 80% e britanikëve të brezit tim duan që të mbetemi pjesë e BE-së. Por zërat e tyre po mbyten nën thirrjet e brezit më të moshuar, i cili do shkëputje, megjithëse ne jemi ata që do të jetojmë më gjatë me pasojat e shkëputjes,” thotë protestuesja Gabi Rolfe.

“Kemi shumë përfitime nëse shkëputemi nga Bashkimi Evropian. Mbi të gjitha do të marrim përsëri nën kontroll kompetenca të shumta nga të cilat kemi hequr dorë,” thotë Owen Reed, një protestues pro-Brexitit.

Britania e gjen veten në terren të panjohur. Por pavarësisht se çfarë ndodh në parlament në javët e ardhshme, përçarjet që janë krijuar në shoqërinë britanike do të kërkojnë shumë më tepër kohë të riparohen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG