Lidhje

SHBA do t'i shesin qymyr Ukrainës


Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se për herë të parë do t’i shesin qymyrguri Ukrainës, duke zbutur varësinë e saj energjitike nga Rusia dhe nga separatistët e mbështetur nga Moska në Ukrainën lindore.

Sipas marrëveshjes, kompania Xcoal Energy & Resources në Pensilvani do të transportojë 700 mijë ton qymyr për ngrohje deri në fund të vitit për firmën shtetërore të energjisë Centrenergo të Ukrainës. Qymyri do të përdoret për ngrohjen e shtëpive dhe bizneseve në muajt e ardhshëm të dimrit.

Dërgesa e parë, me një kosto prej 113 dollarë për ton, pritet të niset nga porti i Baltimorës në muajin gusht.

Sekretari amerikan i Energjisë Rick Perry tha se marrëveshja është "vendimtare në rrugën e SHBA për të arritur dominimin në fushën e energjisë".

Presidenti Donald Trump është zotuar të rigjallërojë industrinë e qymyrit në vend, e cila ka humbur mijëra vende pune, pasi SHBA janë orientuar ndjeshëm drejt përdorimit të formave më të pastra dhe më të lira të energjisë, kryesisht gaz natyror, edhe pse kërkesa për qymyrguri në Evropë dhe Azi është rritur.

Ukraina vazhdon përpjekjet e vështira për të përmbushur nevojat e saj të energjisë që nga muaji mars, kur ajo ndali transportin e qymyrit nga pjesa lindore e vendit të kontrolluar nga separatistët e mbështetur prej Moskës.

Ukraina ka bërë thirrje për një ndalim të plotë të importeve të qymyrit nga Rusia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG