Lidhje

Marrëveshja e Parisit për klimën dhe bizneset amerikane


Dhjetëra kompani amerikane shprehën kundërshtim ndaj vendimit të presidentit Trump për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e Parisit për klimën. Analistët thonë se prodhimi i energjisë nga burime të ripërtëritshme po bëhet gjithnjë e më i leverdisshëm ekonomikisht, gjë që ka rritur ndjeshëm shfrytëzimin e burimeve në gjelbra nga bizneset. Por disa kompani qymyrguri i kanë dalë në mbrojtje vendimit të presidentit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump thotë se marrëveshja e Parisit dëmton rritjen ekonomike të vendit, shkurton vende pune amerikane, pagat, mbyll fabrika dhe i vë firmat e Shteteve të Bashkuara në disavantazh.

“Respektimi i kushteve të marrëveshjes së Parisit dhe kufizimet e rënda të energjisë të vendosura për Shtetet e Bashkuara, mund t’i kushtojnë Amerikës rreth 2,7 milionë vende pune deri në vitin 2025” tha ai.

Kompanitë e nxjerrjes së qymyrgurit e mbështetën vendimin e zotit Trump.

Peabody Coal tha se marrëveshja do të dëmtonte ekonominë amerikane duke ngritur koston e energjisë elektrike. Murray Energy tha se vendimi i presidentit do të shpëtojë vende pune në prodhimin e qymyrgurit dhe do të promovojë energji elektrike me kosto të ulët.

Përkrahësit e marrëveshjes së Parisit thonë se numri i vendeve të reja të punës në fushën e energjisë së gjelbër është më i lartë se ai i vendeve të punës që shkurtohen në kompanitë e energjisë jo të rinovueshme.

“Nëse shikoni tani ekonominë amerikane, ne kemi 3 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara të cilët janë të punësuar në fushën e energjisë së ripërtëritshme, që përfaqëson rritjen më të lartë në tregun e energjisë, duke tejkaluar rritjen në vende pune në prodhimin e gazit natyror, qymyrgurit ose karburantit” thotë hulumtuesi Andrew Light.

Ekspertët e energjisë së ripërtëritshme thonë se po bie kostoja dhe po rritet produktiviteti i teknologjisë në sektorin e energjisë së gjelbër:

“Ata janë burimi më i lirë... njerëzit më parë nuk e shikonin si alternativë energjinë e rinovueshme, sepse për shumë vite përfitimi nuk ishte i mjaftueshëm. Tani është situatë e favorshme” thotë Amit Rosen, i Universitetit George Washington.

Shefi ekzekutiv i General Electric, Jeff Immelt dhe ai i Teslës dhe Space-Xit, Elon Musk janë dy nga biznesmenët kryesorë që kanë kritikuar vendimin e zotit Trump. Elon Musk dha dorëheqjen nga një panel këshillues ekonomik i Shtëpisë së Bardhë pas njoftimit të presidentit Trump.

Dhjetëra firma amerikane, përfshirë Mars, Nike, Levi Strauss dhe Starbucks, nënshkruan një letër në adresë të presidentit, duke argumentuar se dështimi për të ndërtuar një ekonomi me ndotje sa më të ulët gazi karbonik e vë mirëqenien e Shteteve të Bashkuara në rrezik.

Kompanitë e naftës, si Chevron dhe rivali ExxonMobil, kohët e fundit argumentuan se marrëveshja e Parisit u jep firmave të tyre një të ardhme më të parashikueshme.

Aksionerët e ExxonMobil votuan për t’i kërkuar gjigandit të naftës të bëjë më shumë për të vlerësuar rreziqet e biznesit nga ndryshimet klimatike dhe për ta ndarë këtë informacion me investitorët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG