Lidhje

Situata në Sharlotë pas një nate të dhunshme


Charlotte
Charlotte

Një person u qëllua me armë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në qytetin Sharlotë, të Karolinës së Veriut, ndërsa protestuesit u mblodhën për të dytën natë radhazi për të reaguar ndaj vrasjes nga policia të një afrikano-amerikani.

Guvernatori i Karolinës së Veriut shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe urdhëroi hyrjen e Gardës Kombëtare në qytet.

Fillimisht pati marshime paqësore, por më vonë u shndërruan në përplasje të dhunshme ndërmjet policisë dhe protestuesve. Policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Disa protestues thyen xhamat e dyqaneve dhe ndezën zjarre në rrugë.

Situata u duk më e qetë gjatë paradites së sotshme.

Autoritetet lokale njoftuan fillimisht se një person ishte vrarë me armë nga një tjetër protestues, jo nga policia, por më vonë saktësoi se personi ishte plagosur. Departamenti i policisë njoftoi se katër oficerë policie ishin plagosur, pa rrezik për jetën.

Gjatë natës së parë të protestave të martën, 24 persona u plagosën, ndër ta edhe 16 oficerë policie.

Kryetarja e bashkisë Jennifer Roberts bëri thirrje për qetësi dhe vuri në dukje se qyteti Sharlotë ka qenë gjithnjë vendi i dialogut paqësor. Ajo i tha kanalit CNN se “kjo nuk është ajo çfarë ne jemi”.

Protesta filloi si përgjigje ndaj vrasjes të martën në një kompleks apartamentesh të 43-vjeçarit Keith Lamont Scott. Policia tha se ishin duke kërkuar për dikë tjetër kur e panë atë të dilte me armë nga një makinë dhe se oficeri i policisë e qëlloi pasi ai refuzoi thirrjet për të lënë armën.

Familja e Keith Scott thotë se ai ishte i paarmatosur dhe se po mbante një libër kur u qëllua. Dëshmitarët thanë se ai kishte ngritur duart lart.

Kamerat e mbartura në trup nga policët e kanë filmuar momentin, por videoja nuk është bërë publike.

Kryebashkiakja Roberts tha se do ta shikonte filmimin sot së bashku me disa udhëheqës të komunitetit.

Ky është rasti më i fundit në një sërë ngjarjesh me të shtëna nga policia, duke nxjerrë në pah aspektin e ushtrimit të forcës nga policia, në veçanti ndaj afrikano-amerikanëve.

Këto ngjarje janë pasuar shpesh nga protesta që bëjnë thirrje për reformim të policisë dhe drejtësi për personat e vrarë. Në shumë raste, demonstrimet kanë qenë paqësore, por dhuna si ajo në qytetin Sharlotë shton debatin se si duhet të ngrenë njerëzit zërin ndaj padrejtësive dhe se si policia duhet të balancojë ushtrimin e detyrës së tyre me lejimin e të shprehurit që garantohet me ligj.

Braxton Winston, një protestues në Sharlotë, i drejtoi komentet ndaj kreut të departamentit të policisë së qytetit për mënyrën si po menaxhohet situata.

“Na thoni vazhdimisht se çfarë nuk mundemi të bëjmë. Nuk mundemi të qëndrojmë në gjunjë. Nuk mundemi të qëndrojmë në këmbë. Nuk mundemi të këndojmë. Atëherë, çfarë mundemi të bëjmë. Shef i policisë Kerr Putney, dil dhe na thuaj çfarë mundemi të bëjmë”, tha zoti Winston.

Presidenti Barack Obama bisedoi nëpërmjet telefonit dje me kryebashkiaken Roberts të qytetit Sharlotë, si dhe me kryetarin e bashkisë së Tulsas, ku pati një tjetër vrasje të një afrikano-amerikani nga një police e bardhë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë u theksua pikëpamja e përbashkët për domosdoshmërinë e protestave paqësore dhe Presidenti ofroi të gjithë asistencën e mundshme që mund të kërkohet nga të dyja këto qytete.

Avokati i oficeres së policisë në Tulsa që qëlloi 40-vjeçarin Terence Crutcher tha se ajo ishte frikësuar për jetën e saj, kur Crutcher u zgjat nga dritarja drejt brendësisë së makinës së tij.

Por, familja e zotit Crutcher thotë se në video tregohet se dritarja ishte e mbyllur dhe se ai po i mbante duart mbi makinë për të dëshmuar se nuk mbante armë.

Kandidatja demokrate për president, Hillary Clinton, tha dje se vrasjet janë “të padurueshme dhe nuk duhen toleruar”.

Ajo tha se vendit i duhet forcë, dashuri dhe mirësi dhe se “jemi më të sigurtë kur komunitetet respektojnë policinë dhe policia respekton komunitetet”.

Republikani Donald Trump shkruajti në Twitter se “situatat në Tulsa dhe Sharlotë janë tragjike. Duhet të bashkohemi për ta bërë Amerikën sërish të sigurtë.” Ai tha se shpreson që do t’i jepet fund menjëherë dhunës dhe trazirave në Sharlotë.

Për shkak të mungesës së një banke të dhënash nga qeveria federale, gazeta “The Washington Post” po zhvillon një projekt për të regjistruar numrin e njerëzve të vrarë nga policia në mbarë Shtetet e Bashkuara. Deri më sot, gazeta ka dokumentuar 706 persona të vrarë nga policia gjatë vitit 2016, nga të cilët 173 janë afrikano-amerikanë.

XS
SM
MD
LG