Lidhje

Raca si çështje në fushatën presidenciale


Vrasja masive e javës së kaluar në një kishë afrikano-amerikane në Çarleston të Karolinës së Jugut e solli çështjen e racës në fazat e hershme të fushatës presidenciale të vitit 2016.

Në një takim elektoral në Florisant të shtetit Mizuri, kandidatja demokrate Hillary Clinton e cilësoi tragjedinë e javës së kaluar në Çarleston si “një akt terrorizmi racist i kryer në shtëpinë e Zotit”.

Zonja Clinton tha se pas asaj që ndodhi në Çarleston, është bërë e qartë se “barazia, shanset dhe të drejtat civile në Amerikë, janë ende larg standardit të nevojshëm”.

“E di që është tunduese ta trajtosh një tragjedi të tillë si një incident të izoluar, të besosh se në Amerikën e sotme, paragjykimet i kemi lënë pas dhe se racizmi institucional nuk ekziston më. Por megjithë përpjekjet dhe shpresat tona më të mira, beteja e gjatë e Amerikës me racën është ende larg fundit”.

Zonja Clinton tha se flamuri i Konfederatës është një simbol i së shkuarës raciste të vendit dhe nuk duhet të valëvitet askund. Dylann Roof, i akuzuari për vrasjet kishte dalë në fotografi me flamuj të Konferederatës dhe Asambleja e Karolinës së Jugut po diskuton për heqjen e flamurit nga selia e saj.

Edhe kandidatët e tjerë demokratë, Bernie Sanders dhe Martin O’Malley kanë bërë thirrje që flaumri i Konferederatës të hiqet në gjithë vendin dhe të lihet vetëm nëpër muzeume.

Votuesit afrikano-amerikanë ishin një nga grupet vendimtare të koalicionit demokrat që kontribuan në zgjedhjen dhe rizgjedhjen e zotit Obama.

Përgjigje të ndryshme nga kandidatët republikanë

Disa nga kandidatët republikanë e dënuan menjëherë ngjarjen në Çarleston, përfshirë ish-guvernatorin e Floridës, Jeb Bush.

“Më shkakton dhimbje të thellë dhe e di që ju ndjeheni njëlloj dhe na duhet të gjejmë rrugët për të rikthyer dashurinë në shoqërinë tonë”.

Zoti Bush dhe kandidatë të tjerë republikanë përshëndetën thirrjen e guvernatores së Karolinës së Jugut, Nikki Haley për heqjen e flamurit të Konfederatës, por u kritikuan se pritën derisa u shpreh guvernatorja republikane për këtë çështje.

Doktor Ben Carson, i vetmi kandidat afrikano-amerikan republikan tha se flamuri i Konfederatës duhet të hiqet megjithëse shtoi se i kupton të dyja palët e debatit. Ai tha se valëvitja e flamurit “ofendon një pjesë të madhe” të popullisisë së vendit. Por ai shtoi se edhe ulja e tij “ofendon një grup të gjerë. Unë dua të ndaloj një gjë të tillë. Dua që populli amerikan ta kuptojë se ne nuk jemi armiqtë e njëri-tjetrit”.

Kandidatë të tjerë republikanë thanë se flamuri i Konfederatës është një çështje që i takon ta zgjidhin banorët e Karolinës së Jugut, përfshirë ish-senatorin nga Pensilvania Rick Santorum dhe ish-guvernatorin e Arkansasë, Mike Huckabee.

“Por të gjithë ne që po kandidojmë për president, po futemi në kurth me këtë pyetje, sikur kjo ka lidhje me kandidaturën për president dhe qëndrimi im është se nuk ka aspak lidhje”, tha zoti Huckabee në një intervistë për televizionin NBC.

Pasojat e çështjes së racës tek zgjedhjet 2016

Vëmendja masive brenda dhe jashtë vendit ndaj tragjedisë në Çarleston dhe rishfaqja e çështjes së racës, dhunës dhe armëve të zjarrit në Shtetet e Bashkuara, të bën të mendosh se ato do të jenë të ndjeshme në fushatën presidenciale të vitit të ardhshëm.

Shanset janë që demokratët të vazhdojnë të flasin për kontrollin e armëve dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes grupeve të ndryshme racore, ndërsa shumë nga republikanët do të përpiqen të mbështesin hapa konstruktive pa zemëruar votuesit konservatorë në shtetet e para ku mbahen votimet brenda partive. Në Karolinën e Jugut tradicionalisht mbahet gara e tretë për emërimin e kandidatit brenda partive, menjëherë pas Iowa-s dhe New Hampshire.

Tom DeFrank, një analist politik në revistën National Journal, ishte së fundmi i ftuar në emisionin e Zërit të Amerikës ‘Issues in the News’. Ai tha se tragjedia në Çarleston dhe rastet e tjera të ngjashme, tregojnë se vendi ka ende shumë për të bërë, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet racore.

“Është një kujtesë se edhe 51 vjet pasi Presidenti Lyndon Johnson nënshkroi aktin e të Drejtave Civile të vitit 1964, një ligj nuk ka autoritet tek zemrat dhe mendjet e njerëzve dhe se ende ka një urrejtje të thellë tek disa grupe”.

Analistja e opinionit publik, Karlyn Bowman e Institutit American Enterprise tha se amerikanët kishin shpresa të mëdha për përmirësimin e marrëdhënieve racore pas zgjedhjes së Presidentit Barack Obama në 2008. Ajo tha se megjithëse disa janë zhgënjyer lidhur me marrëdhëniet racore vitet e fundit, uniteti i dëshmuar në Çarleston pas tragjedisë së javës së kaluar është inkurajues.

“Mendoj se shprehja masive e angazhimit dhe forcës së komunitetit, lë të kuptosh se megjithëse ne kemi probleme në marrëdhëniet racore dhe se si reagojmë ndaj racistëve, ka një vullnet të mirë dhe ndjeshmëri të jashtëzakonshme dhe pikëpamje pozitive siç e pamë në Çarleston me reagimin e komunitetit”.

XS
SM
MD
LG