Lidhje

Beteja për Rakën, SDF mësyjnë në qytet


Forcat siriane me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara mësynë dje me forcë në Raka, kryeqyteti “de-facto” i Shtetit Islamik. Luftimet intensive sinjalizuan fillimin e atij që koalicioni nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara thotë se do të jetë fundi i kontrollit të ISIS-it në qytetin e rrethuar.

Komandantët e forcave demokratike siriane nën udhëheqjen e kurdëve thanë se beteja brenda qyetit – e para në përpjekjen disa mujore, tregon se lufta mund të jetë e gjatë dhe e kushtueshme.

"Raka është kryeqyteti i Daesh-it në Siri, kështuqë përgatitjet e tyre për luftime janë të mëdha. Qoftë duke gërmuar tunele nën tokë, duke vendosur mina, apo makina me eksplozivë dhe të personave që kryejnë sulme vetëvrasëse me bombë, ISIS është përgatitur mirë për këtë betejë, mbi dhe nën tokë. Por ne do të përballemi me këto sfida, sepse edhe ne jemi të përgatitur mirë,” – thotë komandantja e forcave siriane.

Shteti Islamik e mori kontrollin e Rakës në janar të 2014-ës dhe që nga ajo kohë është bërë baza e udhëheqësve të grupit. Forcat Demokratike të Sirisë kanë avancuar për muaj me radhë, në mënyrë të qëndrueshme drejt jugut, për në Raka, duke e spastruar zonën nga elementë të ISIS-it, me ndihmën e bombardimeve amerikane.

Fati i Rakës pas ISIS-it është bërë objekt spekullimesh intensive dhe tensionesh mes palëve të ndryshme që luftojnë në Siri.

Turqia e kundërshton rolin e Forcave Demokratike Siriane dhe kontingjentin e madh të luftëtarëve kurdë, të cilët zyrtarët turq i konsiderojnë si terroristë.

"Mbështetja për organizata terroriste që vrasin civilë, që kryejnë spastrime etnike dhe bëjnë presion në madh ndaj cilitdo që ka opinione të ndryshme, na detyron ne të jetojmë në mesin e rrezikut. Ata që justifikojnë organizatat terroriste për hir të politikave të tyre rajonale, duke i përshkruar ata si ushtri në vend që të mbajnë një qëndrim vendimtar, do ta kuptojnë së shpejti se kanë bërë një gabim jetik,”- thotë presidenti turk.

Nuk dihet shifra e viktimave, por komandantët turq thonë se kanë dëgjuar që IS po i mban mijëra civilë si mburoja njerëzore. Sipas njoftimeve, ISIS ka prerë energjinë elektrike dhe ka mbyllur kafenetë e internetit në Raka. Sipas vlerësimeve të pakonfirmuara, numri aktual i popullsisë së qytetit është rreth 200 mijë vetë.

Koalicioni nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara tha se me rimarrjen e kontrollit të Rakës, qyteti do t’u kthehet civilëve lokalë që nuk mbahen nga grupi terrorist.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG