Lidhje

Këshilli i Sigurimit i OKB do të diskutojë lëshimin e raketës nga Pheniani


Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë kërkuar një sesion emergjent të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, pas provës së fundit të Koresë së Veriut me raketë balistike. Raketa ra në Detin e Japonisë.

Agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA, njoftoi për lëshimin e raketës të dielën. Ushtarakët jug-koreanë konfirmuan se raketa përshkoi një distancë prej 500 kilometrash para se të binte në Detin e Japonisë.

Agjencia e lajmeve e cilësoi raketën si një “sistem i ri strategjik armatimi i modelit korean”, dhe theksoi me mburrje se prova u mbikëqyr personalisht nga udhëheqësi Kim Jong Un.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Geng Shuang, tha sot se Pekini i kundërshton këto prova, që bien ndesh me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por bëri thirrje për ruajtjen e qetësisë.

“Besojmë se dialogu dhe konsultimet janë mënyra përfundimtare për zgjidhjen e problemeve në Gadishullin Korean. Shpresojmë që të gjitha palët të tregohen të përgjegjshme. Kina do të vazhdojë të punojë së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe palët e tjera për një zgjidhje të çëshjtes bërthamore të gadishullit dhe për përpjekje të përbashkëta për mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit në Gadishullin Korean.”

Ministria e Jashtme ruse po ashtu shprehu sot shqetësim mbi provën me raketë. Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe i quajti veprimet e Koresë së Veriut “tërësisht të patolerueshme.”

XS
SM
MD
LG