Lidhje

Raporti: Ftohen qëndrimet e amerikanëve ndaj Kinës


Qëndrimet e amerikanëve ndaj Kinës janë acaruar ndjeshëm tre vitet e fundit, sipas një raporti të publikuar të enjten.

Sipas raportit të Qendrës Studimore Pew, 70% e të anketuarve thanë se Uashingtoni duhet të përballet me Pekinin lidhur me çështjet e të drejtave të njeriut, edhe nëse kjo dëmton lidhjet ekonomike mes dy vendeve.

Rreth 9 në çdo 10 të anketuar, në një sondazh me më shumë se 2,500 amerikanë të kryer në shkurt, thanë se ata e shohin Kinën, ekonominë e dytë më të madhe të botës, më shumë si konkurrente ose armike sesa si partnere.

"Në marrëdhëniet dypalëshe me Kinën, amerikanët duan më shumë përqendrim tek të drejtat e njeriut, madje edhe në kurriz të lidhjeve ekonomike," thuhet në raport.

Administrata e Presidentit Joe Biden, e cila mori detyrën në janar, e ka veçuar Kinën si "sprovën më të madhe gjeopolitike" të këtij shekulli dhe e ka mbështetur besimin e administratës së mëparshme Trump se Pekini ka kryer gjenocid ndaj myslimanëve pakicë.

Ajo ka kritikuar gjithashtu goditjen e Kinës ndaj lëvizjes së demokracisë në Hong Kong dhe ka sinjalizuar se do ta vazhdojë presionin e administratës së mëparshme ndaj Pekinit, megjithëse në koordinim me aleatët.

Nga sondazhi i Qendrës Pew del se një shumicë e vogël e amerikanëve, 53%, kanë besim se Presidenti Biden do të ndjekë një politikë të efektshme ndaj Kinës. Por kjo shifër ishte më e ulët sesa ajo për çështje të tjera globale, të tilla si terrorizmi, ndryshimi i klimës, përdorimi i forcës ushtarake dhe administrimi i tregtisë.

Në përgjithësi, pikëpamjet negative në Shtetet e Bashkuara ndaj Kinës janë rritur ndjeshëm që nga viti 2018. Në këtë aspekt, 67% e të anketuarve kanë pikëpamje "shumë të ftohta" ose "të ftohta" ndaj Kinës krahasuar me 46% tre vjet më parë. Vetëm 11% e amerikanëve të anketuar kishin ndjenja të ngrohta ndaj Kinës.

Perceptimet se sulmet kibernetike të sponsorizuara nga Kina dhe gjendja e të drejtave të njeriut janë probleme "shumë serioze" janë rritur 7% që nga viti 2020, duke arritur përkatësisht në 65% dhe 50%, thuhet në raport.

Një shumicë amerikanësh gjithashtu i shohin si probleme shumë serioze humbjet e vendeve të punës në SHBA për shkak të Kinës si dhe rritjen e fuqisë ushtarake të Pekinit. Në këto dy aspekte, rritja ka qenë 6% që nga viti i kaluar, duke arritur përkatësisht nivelet 53% dhe 52%.

Lidhjet SHBA-Kinë ranë në pikën më të ulët prej disa dekadash gjatë vitit të fundit të ish-Presidentit Donald Trump në detyrë, kur Uashingtoni vuri në shënjestër Pekinin për çështje të tilla si tregtia, shpërthimi i koronavirusit, spiunazhi, të drejtat e njeriut dhe pretendimet territoriale kineze në Detin strategjik të Kinës Jugore.

Republikanët dhe demokratët në Kongresin amerikan kanë gjetur kauzë të përbashkët në përballjen me Pekinin. Ligjvënësit kanë propozuar një seri projektligjesh që lidhen me Kinën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG