Lidhje

Përparim i forcave të koalicionit në Raka


Forcat e grupeve siriane që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara kanë arritur të rrëzojnë një pjesë të murit që rrethon qytetin e vjetër të Rakës në Siri, ndërsa po përparojnë me ofensivën një mujore për të sprapsur grupin e Shtetit Islamik nga kryeqyteti de facto i tyre.

Në një deklaratë dje të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara thuhej se Forcat Demokratike siriane mposhtën "rezistencën e fortë të ISIS-it" dhe se avionët e koalicionit kryen sulme ajrore për të krijuar dy çarje 25 metra secila në murin e Rafikës. Koalicioni goditi atë pjesë të murit ku nuk ndodhen mina e makina bombë të vendosura nga militantët.

"Ndryshe nga ISIS-i që shkatërroi qëllimisht rrënojat e Palmirës dhe xhamisë Al-Nuri dhe që ka përdor vende si muri i Rafikës, spitale, shkolla dhe xhami si depo armësh dhe pozicione luftimi, forcat e koalicionit po bëjnë një përpjekje të madhe për të mbrojtur civilët dhe për t’i ruajtur këto vende", tha zëdhënësi i koalicionit Ryan Dillon.

Muajin e kaluar luftëtarët e Shtetit Islamik shkatërruan xhaminë e Al-Nurit ndërsa forcat irakiane mbështetur nga koalicioni po përpiqeshin të merrnin nën kontroll pjesët e mbetura të Mosulit.

Që prej vitit 2015 kur u pushtua nga militantët e Shtetit Islamik qyteti i lashtë sirian i Palmirës është shkatëruar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG