Lidhje

SHBA: Ratifikimi i traktatit START në Senat has pengesa


SHBA: Ratifikimi i traktatit START në Senat has pengesa
SHBA: Ratifikimi i traktatit START në Senat has pengesa

Përpjekjet e Presidentit Obama për ratifikimin e traktatit të ri për armët bërthamore me Rusinë deri në fund të fundit përballen me një të ardhme të pasigurt. Udhëheqësit evropianë në takimin e fundit të nivelit të lartë të NATO-s në Portugali ofruan mbështetje. Por në Uashington, zoti Obama po has qëndresë nga republikanët e opozitës në senat.

Shtëpia e Bardhë thotë se çështja është urgjente për sigurinë e Amerikës.

“Është një domosdoshmëri për Shtetet e Bashkuara që ta ratifikojnë traktatin e ri START këtë vit. Është përparësia kryesore e sesionit të Kongresit që po mbyllet. Siguria kombëtare e Amerikës varet në masë të madhe nga ky traktat”.

Disa ish-Sekretarë shteti dhe të mbrojtjes e përkrahin përpjekjen e zotit Obama për të finalizuar një traktat të ri për reduktimin e armëve strategjike me Rusinë.

Edhe Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton e theksoi rëndësinë e këtij traktati.

“Ata që mendojnë se mund ta shtyjmë apo ta shmangim miratimin, e nënvleftësojnë kërcënimin me të cilin përballet vendi”.

Në prill, zoti Obama dhe presidenti rus Dmitry Medvedev nënshkruan traktatin e ri START i cili do to pakësojë arsenalin e armëve me rreze të gjatë veprimi deri në 30 për qind për secilin vend.

Presidenti i ka kërkuar senatit amerikan ta ratifikojë traktatin deri në fund të vitit, por nuk është i sigurt se do t’i sigurojë 67 votat që i duhen.

Fitoret e fundit në zgjedhjet e kongresit sollën ngushtimin e diferencës mes shumicës demokrate dhe republikanëve në Senat.

Disa thonë se ky ndryshim e bën edhe më të vështirë ratifikimin e traktatit në senat, kur kongresi i ri të fillojë punën në janar.

Roy Blunt është një nga senatorët e ardhshëm që do ta shtyjë votimin deri atëherë.

“Është një çështje e rëndësishme për vendin. Po të ishte kaq e rëndësishme duhet të ishte bërë deri tani”.

Bashkimi Evropian dhe Rusia po i kërkojnë Shteteve të Bashkuara ta ratifikojë traktatin që do të zëvendësonte marrëveshjen e vitit 1991 e cila skadoi në dhjetor.

Një prej atyre që po e kërkojnë është Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen.

“Vonesat në ratifikimin e traktatit do ta dëmtojnë të gjithë situatën e sigurisë në Evropë. Prandaj ne u kërkojmë me forcë të dyja palëve që ta ratifikojnë traktatin sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Por James Carafano i Fondacionit Heritage thotë se ata zëra evropianë nuk ia shtojnë shanset zotit Obama për mbështetje në senat.

“Në radhë të parë traktati ka muaj që po diskutohet. Nëse Evropa Perëndimore do të ishte vërtet entuziaste, do të ishin shprehur që më parë. Përsa i takon ndryshimit të balancës për votimin për traktatin, diskutimet në Lisbonë nuk kanë ndonjë ndikim”.

Carafano thotë se traktati i jep Rusisë shumë dorë të lirë për të modernizuar armët, një avantazh që ai thotë se Uashingtoni nuk e kërkon.

“Presidenti Obama kurrë nuk ka thënë se do të modernizojë arsenalin bërthamor amerikan. Në fakt ai ka deklaruar hapur se nuk do ta bëjë një gjë të tillë. Ai ka folur për përdorimin e fondeve për infrastrukturën bërthamore që mbështet arsenalin bërthamor. Ky nuk është modernizim”.

Carafano gjithashtu nuk i dha rëndësi njoftimit të NATO-s në Lisbonë se Rusia ka rënë dakord të bashkëpunojë me aleancën për mbrojtjen nga raketat.

Presidenti Medvedev nuk e mbështeti plotësisht sistemin e mbrojtjes nga raketat që ka si synim mbrojtjen e Evropës nga një sulm i mundshëm iranian.

Ai tha se Kremlinit i duhen më shumë detaje për sistemin.

XS
SM
MD
LG