Lidhje

Reagon Groenlanda: Nuk jemi në treg për shitje


Groenlanda hodhi sot (të premten) poshtë idenë se mund të jetë në treg për shitje pas njoftimeve se Presidenti amerikan Donald Trump kishte diskutuar privatisht me këshilltarët e tij rreth idesë për të blerë ishullin më të madh në botë.

"Ne jemi të hapur për biznes, por nuk jemi për shitje", tha ministrja e Jashtme e Groenlandës Ane Lone Bagger për agjencinë e lajmeve Reuters.

Në muajin shtator zoti Trump do të vizitojë Kopenhagën dhe Arktiku do të jetë në rendin e ditës të bisedimeve gjatë takimeve me kryeministrat e Danimarkës dhe Groennlandës, një territor autonom danez. Biseda për blerjen e ishullit u njoftua për herë të parë nga gazeta “Wall Street Journal”.

Dy burime në dijeni të çështjes i thanë agjencisë Reuters se disa këshilltarë kishin qeshur me idenë duke kujtuar se ishte një shaka, por ajo ishte marrë me shumë seriozitet nga të tjerë në Shtëpinë e Bardhë.

Të premten politikanët danezë u tallën me idenë. "Duhet të jetë një shaka për 1 prillin. Është plotësisht jashtë sezoni", shkruante ish-kryeministri Lars Lokke Rasmussen në Twitter.

Groenlanda po merr vëmendjen nga superfuqitë botërore duke përfshirë Kinën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara për shkak të vendndodhjes strategjike dhe burimeve të saj minerale.

Në maj, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se Rusia po sillej në mënyrë agresive në Arktik dhe se veprimet e Kinës atje duhej të shiheshin nga afër gjithashtu.

Një traktat në fushën e mbrojtjes mes Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara që daton nga viti 1951 u jep të drejta amerikanëve mbi bazën ajrore Thule në veri të Groenlandës. Nuk ka asnjë të dhënë se çështja e blerjes së Groenlandës do të jetë në rendin e ditës në bisedimet e presidentit Trump me zyrtarët danezë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG