Lidhje

Debat rreth vlerësimeve të Venecias


Reforma në Drejtësi, opozita: Komisioni i Venecias çmontoi skemën e kapjes politike. Kryetari i Komisionit të Reformës, Xhafaj: Sfidoj cilindo që thotë se është rrëzuar ndonjë nga nenet e dërguara për opinion zyrtar

Në Shqipëri opozita dhe drejtuesi i komisionit të posacëm parlamentar për reformën në Drejtësi Fatmir Xhafaj,i bënë komente të ndryshme vlerësimit paraprak të Komisionit të Venecias mbi paketën e ndryshimeve kushtetuese. Deputeti demokrat Eduard Halimi tha se dokumenti i Venecias sipas tij çmonton skemën e kapjes politike të Drejtësisë. Nga ana e tij zoti Xhafaj tha se sfidonte këdo që sipas tij pretendon se Komisioni I Venecias ka rrëzuar ndonjë nga nenet e paketës kushtetuese, duke ranuar se rekomandimet synojnë përmirësimin e propozimeve.

Shqipëri: Qëndrime të ndryshme për reformën në drejtësi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:19 0:00

Opozita e cila u bë pjesë e komisionit të reformës në Drejtësi korrikun e kaluar falë ndërmjetësimit ndërkombëtar, përsëriti sot se ajo mbështeste plotësisht rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias mbi paketën kushtetuese. Një ditë më parë këtë qëndrim e shprehu kryetari Lulzim Basha pas takimit me ambasadorin amerikan Donald Lu, i cili më herët, për të njejtën cështje kishte biseduar dhe me ish kryeministrin Sali Berisha.

Kryetari i Komisionit parlamentar Fatmir Xhafaj, vlerësoi sot qëndrimin e opozitës: “Eshtë një lajm shumë inkurajues i fundvitit, fakti që PD e ka përqafuar publikisht dhe pa ekuivok, idenë tonë të ditës së parë të punës që në nisje të këtij procesi të refomës në Drejtësi se Komisioni i Venecias është pika më e sigurtë e referimit për një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të Drejtësisë”

Komisioni i Venecias mori në shqyrtim paketën e hartuar nga ekspertë vendas dhe të huaj të angazhuar nga komisioni parlamentar. Opozita dërgoi vecmas një tjetër dokument me rekomandimet e saj. Sot deputeti Eduard Halimi deklaroi se “draft raporti i Komiionit të Venecias analizon dhe gjen tërësisht të drejtë shqetësimet e opozitës dhe gjithë opinionit publik për problemet që pasqyronte përmbajtja e draftit lidhur me kapjen politike të sistemit. Ky dokument çmonton skemën e kapjes politike të drejtësisë dhe është udhërrëfyesi më i mirë më profesional për të ecur drejt një pakete që do të garantojë largimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar , eliminimin e frymës dhe praktikave koorporativiste në qeverisjen e pushtetit gjyqësor, rritjen e përgjegjshmërisë dhe instalimin e mekanizmave të fortë e të qëndrueshëm llogaridhënës”

Por zoti Xhafaj u kundërpërgji duke u shprehur se “Sfidoj cilindo që del dhe thotë që Komisioni i Venecias ka rrëzuar ndonjë nga nenet e dërguara për opinion zyrtar ndaj projektit kushtetues. Absolutisht Po, ka sugjerime për ta bërë më të mirë këtë projekt”

Në vlerësimet e tij, Komisioni i Venecias “mbështet autoritetet shqiptare për reformën gjithëpërfshirëse” duke evidentuar se ajo”nevojitet urgjentisht dhe se situata kritike justifikon zgjidhje radikale”. Komisioni “konstaton se draft Amendamentet paraqesin një bazë solide për punë të mëtejshme”, një punë që në pamje të parë duket e lehtë duke qenë se në parim palët tanimë janë në garë se kush i mbështet më shumë rekomandimet, por që në praktikë mund të shfaqet sërish e vështirë.

XS
SM
MD
LG