Lidhje

Tubime për reforma në imigracion


Vetëm disa ditë para inaugurimit të presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara Donald Trump, në më shumë se 65 qytete të Amerikës janë mbajtur demonstrata në mbështetje të imigrantëve dhe të drejtave të pakicave. Korrespondentja e Zërit të Amerikës për emigracionin Aline Barros njofton rreth një tubimi në një kishë historike në Uashington, e famshme për historinë e saj në lidhje me të drejtat civile.

Kisha historike African Methodist Episcopalian është prapë e mbushur plot. Kësaj rradhe, për t’i bërë thirrje presidentit të zgjedhur Donald Trump të mos të mbështesë disa nga politikat e ashpra që ai përmendi gjatë fushatës.

Përkrahësit e emigrantëve kanë organizuar tubime, për t’i bërë thirrje presidentit të zgjedhur të mos të ndërmarrë dëbime masive dhe të mbështesë programin DACA, i cili deri tani ka parandaluar dëbimin e më shumë se 700 mijë emigrantëve pa dokumenta të ardhur në Shtetet e Bashkuara para moshës 16 vjeçare.

“I kemi bashkuar njerëzit – afrikano-amerikanët, aziatiko-amerikanët, latinët – që të luftojnë për reformën e imigracionit. Ne besojmë se tani republikanët kanë mundësinë të tregojnë veten, sepse ishin ata që e akuzuan presidentin Obama se ai pengoi reformën e imigracionit. Tani ata kontrollojnë Senatin, Dhomën e Përfaqësuesve, Shtëpinë e Bardhë...,” shprehet aktivisti Gustavo Torres.

Tubimet për imigracionin filluan të shtunën gjatë një fundjave domethënëse – dy ditë para festës amerikane kur vendi përkujton Dr. Martin Luther King Jr. dhe punën e tij të palodhur për promovimin e të drejtave civile në vitet ’50 dhe ’60 dhe për t’i dhënë fund racizmit.

Më shumë se 2,500 njerëz u mblodhën në kishë për të nderuar Dr. King-un dhe për të shprehur qëllimin e tyre për t’i rezistuar politikave të zotit Trump që ata kundërshtojnë.

“Jam këtu për të mbështetur këta njerëz. Nëse ke apo jo dokumente, nuk ka rëndësi. Ne kemi ardhur për të luftuar dhe kemi të njëjtat të drejta” tha Maria Gomes, shtetase amerikane.

“Erdha për të mbështetur të gjithë emigrantët, se ne jemi amerikanë. Edhe jo nga letrat, por nga zemra, sepse duam një të ardhme për fëmijët tanë” tha Tina Kesawong, e cila ka 36 vjet që jeton në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë fushatës, zoti Trump u zotua se do t’i jepte fund programit DACA, se do të ndërtonte një mur në kufirin me Meksikën dhe se do të dëbonte rreth 2-3 milionë njerëz që jetojnë në këtë vend pa dokumente – sepse, sipas atij, ata janë kriminelë. Ai tha se programi DACA që ndihmon fëmijët e emigrantëve është jokushtetues.

“Nuk është mesazh i mirë. Sidomos për të rinjtë tanë, për fëmijët tanë. Nuk është mesazh i mirë” thotë Teddy, shtetas amerikan.

“Familja ime dhe unë jemi ulur disa herë për darkë për të folur rreth të drejtave tona, se çfarë është një bastisje. Çfarë ndodh nëse agjentët e imigractionit vijnë në shtëpinë tonë? Ne i kemi të organizuara dokumentet dhe e dimë se çfarë duhet bërë në rast dëbimi. Por shumë familje në vend nuk kanë biseduar rreth kësaj,” thotë Ambar Pinto, imigrante pa dokumenta.

Ajo përfitoi nga programi DACA, por ende ka frikë se do të dëbohet. Pinto thotë se vëllai i saj i madh kualifikohet për lehtësim të procesit së emigracionit, por nuk ka aplikuar nga frika.

“Ne nuk e dimë se çdo të bëjë kjo administratë, prandaj duam të sigurohemi që të dhënat e tij janë të mbrojtura,” shtoi Ambar.

Pakicat, emigrantët dhe politikanët që i mbështesin ata thanë se do të vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre dhe se do të qëndrojnë të bashkuar.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG