Lidhje

Rivendosja e refugjatëve në Evropë


Evropa ka filluar zhvendosjen e refugjatëve të parë nga Greqia drejt vendeve të tjera të BE-së, sipas planit për përballimin e krizës së emigrantëve. Brukseli kërkon që të risistemohen qindra mijëra refugjatë, por disa nga vendet anëtare e kundërshtojnë me forcë.

Pasi i shpëtuan luftës, ata marrin tani biletën drejt një jete të re në Evropë. Tridhjetë refugjatë sirianë dhe irakianë u nisën dje me avion nga Athina drejt Luksemburgut.

Ndër personat që i përcollën ishte edhe Kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz.

“Kur pashë gëzimin dhe fytyrat e qeshura të fëmijëve, kuptova se kjo që po bëjmë është pikërisht gjëja e duhur.”

Zoti Schulz u bëri thirrje të gjitha vendeve të BE-së që të marrin pjesë në planin e rivendosjes, i cili parashikon shpërndarjen nëpër BE të 160 mijë refugjatëve. Por, ka patur kundërshtime nga disa vende lindore.

“Nuk e përcakton Martin Schulz çfarë shkon apo jo, pasi këtë e përcaktojnë qeveritë e vendeve anëtare. Megjithëse shumica ra dakort për skemën e shpërndarjes, disa qeveri të tjera protestuan dhe votuan të detyruar.”

Pjesa e fundit e udhëtimit drejt Luksemburgut u bë me autobus. Shumë refugjatë thonë se nuk dinë asgjë rreth shtëpisë së tyre të ardhshme.

Në ishujt grekë, mijëra emigrantë të tjerë vazhdojnë të mbërrijnë çdo ditë. Një grevë e punëtorëve të trageteve i la shumë prej tyre të bllokuar në molin e ishullit Lesbos.

“Me tridhjetë refugjatët e rivendosur drejt Luksemburgut, totali tashmë bëhet 116 persona, që është ende shumë shumë larg objektivit prej 160 mijë.”

Greqia gjendet në vijë e parë të krizës. Kryeministri Tsipras paralajmëron:

“Nuk duhet të inkurajojmë udhëtimin jashtë kontrollit drejt Evropës, përmes detit apo tokës, duke rrezikuar jetë njerëzish.”

Për shumicën e emigrantëve, udhëtimi drejt një jete të re në Evropë po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm. Moti po ftohet me shpejtësi në vendet e tranzitit në Ballkan. Agjensitë e ndihmave paralajmërojnë se mijëra jetë njerëzish do të rrezikohen.

XS
SM
MD
LG