Lidhje

Miqësia mes feve ul tensionet ndërfetare


Franca është në gatishmëri të lartë pas sulmit terrorist javën e kaluar në afërsi të Lyonit. Ngjarja ndodh vetëm gjashtë muaj pas vrasjeve në redaksinë e gazetës Charlie Hebdo në Paris. Sulmet kanë shtuar tensione të reja për marrëdhëniet ndërmjet hebrenjve francezë dhe myslimanëve tashmë të tensionuara për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme. Por komuniteti hebre dhe ai mysliman i Francës, më i madhi në Evropën Perëndimore, ndajnë edhe një trashëgimi të përbashkët. Një rabin francez beson se hebrejtë dhe myslimanët janë të destinuar të jenë miq. Rabini quhet Michel Serfaty (Mishel Serfati’)

Michel Serfaty po i tregon këtij njeriu se si një i ri mysliman e fyeu rëndë me fjalë vulgare. Por fyerja, sado e rëndë të jetë, nuk pasqyron pikëpamjet e shumë myslimanëve francezë.

Ky takim zhvillohet pranë Unionit të Organizatave Islame në Francë, i njohur më mirë me emrin UOIF - një grup popullor fetar që mban lidhje me Vëllazërinë Myslimane të Egjiptit.

Kur myslimanët shkojnë për lutjet e pasdites, është e çuditshme që këtu të shikosh një rabin, por zoti Serfaty nuk është rabin si gjithë të tjerët.

Ai ka vite të tëra që udhëton nëpër Francë me një minibus të vjetër, të mbullur me parrulla ku reklamohet miqësia mes hebrejve dhe myslimanëve.

Ai hyn nëpër lagjet e vështira, dhe bisedon me udhëheqësit myslimanë, me nxënës dhe madje me shitës droge, të gjithë myslimanë:

"Për mua ata janë fuçi baroti, sepse janë njerëz të margjinalizuar; ata kanë probleme të mëdha ekonomike, kanë ide të errëta për hebrenjtë. Ata mendojnë se hebrenjtë dominojnë botën, kanë gjithë paratë, pushtetin dhe politikën."

Shoqata e Miqësisë hebraiko-myslimane vë dialogun mbi të gjitha. Zoti Serfaty e drejton atë nga sinagoga e tij në Ris-Orangis, një qytet i qetë jashtë Parisit. Aty pranë ka një xhami dhe një kishë ungjillore.

Harmonia ndërfetare fillon në shtëpi .... dhe në rrugë. Ekipi i rabinit në autobusin e miqësisë përfshin një imam dhe disa të rinj myslimanë.

Por në rrugë ka një tjetër realitet. Që pas sulmeve islamike në Paris, Serfaty është vënë nën mbrojtje 24 orë:

"Gjatë 14 viteve të fundit, shteti nuk ka bërë asgjë në drejtim të parandalimit. Ka pasur 10 mijë akte anti-semite kundër hebrenjve. Gjatë kësaj kohe, unë kam shkuar në të gjitha këto pika të nxehta. Kam dëgjuar gjëra nga më të ashprat, por kurrë nuk më ka ndodhur gjë. ”- thotë ai.

Udhëtimi i sotëm me autobus është në UOIF, në periferinë La Courneuve të Parisit.

Zoti Serfaty bisedon me zyrtarin e UOIF-it Ghazi Wehbi, i cili thotë se rabini i kujton xhaxhanë e tij.

Pastaj ata dalin jashtë për të shpërndarë fletushka ku flitet për miqësinë dhe për të biseduar me besimtarët muslimanë.

Është një bisedë që zoti Wehbi, përfaqësues i xhamisë, thotë se ka rëndësi të madhe në Francë:

"Ne duhet të njohim njëri-tjetrin, duhet të kemi një dialog. Dera duhet të jetë e hapur për të gjithë."

Adel Bouafi nuk pajtohet me gjithçka që thotë rabini. Por ai e vlerëson misionin e zotit Serfaty:

"Mendoj se është diçka e guximshme. Është një nismë vërtet e mirë për të takuar të rinj nëpër lagje dhe për t’u hapur dyert."

Shoqata ka disa degë në Francë. Dalëngadalë, thotë rabini, fara e miqësisë hebraiko-myslimane po jep fryte.

XS
SM
MD
LG