Lidhje

Thirrja e dëshmitarëve gjatë gjyqit për Presidentin Trump


Kreu i maxhorancës republikane në Senat, Mitch McConnell, thotë se republikanët nuk përjashtojnë mundësinë e thirrjes së dëshmitarëve në kuadrin e gjyqit për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

Mitch McConnell
Mitch McConnell

Nuk e kemi përjashtuar mundësinë e dëshmitarëve”, tha Senatori McConnell gjatë emisionit “Fox & Friends” të hënën. “Mendojmë se duhet ta menaxhojmë këtë rast siç bëmë me Presidentin Clinton. Kështu do të ishte e drejtë”.

Javën e kaluar, ai pati refuzuar thirrjet e udhëheqësit të pakicës demokrate, Senatorit Chuck Schumer, për të dëgjuar dëshmitë e katër zyrtarëve, gjatë procesit gjyqësor që do të zhvillojë Senati. Ndër ta janë ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton dhe Shefi i Stafit në detyrë i Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney. Zyrtarët patën refuzuar të dëshmonin gjatë hetimeve ndaj presidentit që bëri Dhoma e Përfaqësuesve.

Me një votim pothuajse plotësisht në përputhje me linjat partiake, Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokrate miratoi të mërkurën dy akuzat ndaj Presidentit Trump. Ai është tashmë presidenti i tretë në historinë 243-vjeçare të Shteteve të Bashkuara ndaj të cilit janë ngritur akuza me qëllim shkarkimin. Ai akuzohet se abuzoi me pushtetin e presidencës për të përfituar vetë politikisht dhe në vazhdim për të penguar përpjekjet e Kongresit për të hetuar veprimet e tij.

Aludimet lindën nga një telefonatë e tij, e zhvilluar në muajin korrik me presidentin e Ukrainës, gjatë së cilës Presidenti Trump kërkon hetimin e njërit prej rivalëve kryesorë politikë.

Nancy Pelosi
Nancy Pelosi

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka thënë se nuk do t’i dërgojë akuzat në Senat dhe se nuk do të përzgjedhë ligjvënësit që do të shërbejnë si prokurorë, derisa Senati të bjerë dakort për rregullat që do të qeverisin procesin gjyqësor.

Senati nuk është i autorizuar të fillojë gjyqin, pa marrë paraprakisht akuzat nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Presidenti Trump kritikoi ashpër zonjën Pelosi duke shkruar të hënën në Twitter se ajo “na jep procesin më të pandershëm në historinë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, dhe tashmë thërret për drejtësi në Senat, ndërsa ndërkohë i shkel të gjitha rregullat. Ajo e ka humbur njëherë Kongresin; do ta bëjë sërish!”.

Presidenti Trump ka këmbëngulur se nuk ka bërë asgjë të gabuar kur nxiti Ukrainën të hetonte një prej sfidantëve të tij kryesorë demokratë, Joe Biden dhe djalin e tij Hunter Biden, për punën e tij fitimprurëse në një kompani gazi natyror në Ukrainë. Presidenti Trump pati bërë thirrje gjithashtu për hetime në linjat e një teorie tashmë të rrëzuar, se ishte Ukraina vendi që ndërhyri në zgjedhjet amerikane të 2016-tës.

Presidenti Trump bëri thirrje për hetime ndaj Biden-ave në një moment kur ai pati pezulluar 391 milionë dollarë asistencë ushtarake që Ukrainës i duhej për ta ndihmuar në luftën ndaj separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG