Lidhje

Uashingtoni dhe Riadi konfirmojnë bashkëpunimin


Shtetet e Bashkuara po premtojnë mbështetje lidhur me përpjekjet e Arabis Saudite kundër aktiviteteve destabilizuese të Iranit në rajon.

Gjatë bisedimeve të së mërkurës në Riad, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, i theksoi homologut saudit, Zv/Princit të Kurorës Mohammed Bin Salman, rëndësinë e bashkëpunimit dhe rritjen e sigurisë së Arabisë Saudite me qëllim për të “përforcuar rezistencën e Arabisë Saudite ndaj ligësisë që vjen nga Irani.”

“Ne nuk po largohemi nga ky rajon, por në të njëjtën kohë është në interesin tonë që Arabia Saudite të ketë një ushtri të fuqishme, sherbimet të sigurisë dhe sherbime sekrete të fuqishme,” tha sekretari Mattis për gazetarët.

Arabia Saudite është ndalesa e parë e zotit Mattis në turneun një javor në Lindjen e Mesme, ku përfshihen Egjipti, Izraeli dhe Katari. Më herët të mërkurën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes u takua me Mbretin Salman.

Vizita vjen një muaj pasi presidenti amerikan, Donald Trump, priti Princin Mohammed në Shtëpinë e Bardhë. Të dy udhëheqësit theksuan “rëndësinë e përballjes me aktivitetet destabilizuese në rajon të Iranit, dhe zbatimin plotësisht të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit”, në bazë të një deklerate të Shtëpisë së Bardhë që mban datën 15 mars.

(https://www.whitehouse.gov/the-press-office/2017/03/15/readout-presidents-meeting-mohammed-bin-salman-abdulaziz-al-saud-deputy )).

Të mërkurën, ministri saudit i mbrojtjes i tha zotit Mattis se “e vlerësojmë lart udhëheqjen e Presidentit Trump.”

Ai po ashtu tha se të dy vendet do të punojnë për të “frenuar dhe kundërvënë të gjitha sfidave në rajon, qoftë kur flitet për frenimin e organizatave terroriste apo aktivitetet dashakeqe të Iranit që vazhdojnë të turbullojnë botën.”

Në bisedën me gazetarët, pas takimit me zyrtarët sauditë të mërkurën, zoti Mattis e vlerësoi rolin udhëheqës saudit në rajon për rivendosjen e stabilitetit në Lindjen e Mesme.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara po shikojnë ndikimin e Iranit përgjatë rajonit, që nga mbështetja për Hezbollah-un e deri tek regjimi i Bashar al-Assad-it.

“Ngado hedh sytë, nëse ka shqetësime në rajon, aty gjendet Irani”, tha zoti Mattis. “Ndaj tani, po shohim vendet e rajonit dhe të tjerë gjetkë që përpiqen të kontrollojnë Iranin dhe paqëndrueshmërinë që ky vend mund shkaktojë.”

Irani dërgon flotiljen në Gjirin e Adenit

Komentet vijnë mes njoftimeve se Irani dislokoi një flotilje anijesh luftarake nga porti jugor në Bandar Abbas për në Gjirin Aden të hënën.

Autoritetet iraniane thonë se, flota e 46-të detare ku përfshihen destrojeri Sabalan dhe anija luftarake logjistike Lavan, nisën udhëtimin në përpjekje për të ruajtur fuqinë e Republikës Islamike në det të hapur.

“Koha e nisjes së misionit dhe shtimi i misioneve detare nga Irani në rajon është e pazakontë dhe duket se po tregojnë muskujt ndaj sauditëve”, tha për Zërin e Amerikës Hooshang Aryanpour, një ish kundëradmiral iranian në pension që jeton në Virxhinia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG