Lidhje

Në përgatitje për Olimpiket e Rios


Në Rio kanë filluar të mbërrijnë ekipet sportive dhe spektatorë nga e gjithë bota, në përgatitje për Lojërat Olimpike që hapen të premten. Olimpiket kanë marrë një goditje të fortë pas akuzave për përfshrje të autoriteteve ruse në një skandal dopingu si dhe shqetësimeve të ngritura për shkeljen e të drejtave të njeriut në Brazil në përgatitje për Lojërat.

Plazhi i famshëm Ipanema në Rio de Zhaneiro ishte mbushur këtë javë me vizitorë. Pjesëtarë të familjes mbretërore daneze inauguruan tendën e pritjes për sportistët danezë, ndërkohë që koleksionistë ishin mbledhur tek parku olimpik për të blerë e shkëmbyer suvenire.

“Kam qenë në 16 Olimpike dhe kam stema nga 15 prej tyre,” thotë një koleksionist.

Ekipi amerikan i volejbollit e ka pritur me padurim këtë shans për të konkurruar në plazhin Kopa Kabana.

“Mendoj se është një shans i mrekullueshëm që do të konkurrojmë në këtë plazh. Ne stërvitemi çdo ditë, por atmosfera këtu është ndryshe, pasi është plazh natyror,” thotë volejbollistja April Ross.

Ndër ekipet pjesëmarrëse në këto Lojëra, për herë të parë në historinë e Olimpikeve do të ketë një ekip të përbërë vetëm nga refugjatë. Ekipi me 10 sportistë përfshin konkurrentë nga Sudani i Jugut, Siria, Republika Demokratike e Kongos dhe Etiopia.

Por vetëm tri ditë nga ceremonia e hapjes, organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International përsëriti thirrjet drejtuar Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për të ngritur zërin kundër forcës së tepruar policore në Brazil:

“Gjatë një periudhe tre mujore, nga prilli në qershor u shënua një rritje 100% e numrit të personave të vrarë nga policia në Rio krahasuar me të njëjtën periudhë vjet,” thotë Renata Neder e organizatës Amnesty International.

Ndërkaq Komiteti Olimpik vazhdon të haset me kritika për vendimin që të lejojë sportistët rusë të konkurrojnë sivjet, megjithë provat që kanë dalë se Rusia ka mbështetur një program dopingu gjatë Olimpikeve në Soçi. Sportistët rusë që nuk rezultuan pozitivë do të lejohen në marrin pjesë nën flamurin e tyre kombëtar.

“Nuk mund të dënosh individin për dështimet e qeverisë së tij, nëse ky individ nuk është implikuar,” thotë presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.

Por një ish-drejtues i Agjencisë Botërore Anti-Doping, e cila ka paraqitur provat për skemën e dopingut në Rusi, thotë se mund të ishte gjetur një zgjidhje tjetër:

“Mendoj se mund të kishim arritur të njëjtat rezultate, duke mbrojtur të drejtat individuale, pra duke lejuar që sportistët që nuk rezultuan pozitivë të konkurronin nën flamurin olimpik, por jo nën flamurin rus, pasi qeveria ruse e organizoi këtë skemë,” thotë Dick Pound, ish-president i Agjencisë Anti-Doping.

Lojërat e Rios hapen të premten dhe vazhdojnë deri më 21 gusht. Mbi 10 mijë e 500 konkurrentë nga 206 vende do të përfaqësohen në këto lojëra.

XS
SM
MD
LG