Lidhje

Media për shtetasin amerikan, Robert Levinson


Dy media amerikane njoftojnë se një shtetas amerikan, i cili u zhduk në mënyrë të mistershme para gati 7 vjetësh në Iran, ishte me një mision të pautorizuar për CIA-n.

Agjencia “Associated Press” dhe gazeta “Washington Times”, njoftojne se ish punonjësi në pension i FBI-së, Robert Levinson po mblidhte informacione zbulimi për një grup analistësh të CIA-s të cilët nuk kishin autozim për të organizuar operacione jashtë vendit.

Robert Levinson u zhduk në mars të vitit 2007, gjatë kohës që ishte në ishullin iranian të Kishit, udhëtim të cilin familja dhe zyrtarë të qeverisë amerikane e kanë cilësuar si një vizitë private për biznes.

Avokati iranian i familjes Levinson, Mohammad Hossein Aghasi, i tha Zërit të Amerikës të premten se gjithë përpjekjet pranë qeverisë iraniane për ndriçimin e fatit të tij, janë bërë bazuar në argumentin se ai kishte hyrë në Iran për arësye personale. Sipas avokatit, zyrtarët iranianë nuk i kishin thënë ndonjëherë se Robert Levinson ishte spiun.

Njoftimet e shtypit dje vinin në dukje se ai po përpiqej të siguronte informacione në iran përmes Dawud Salahuddin-it, një person i cili kërkohet për vrasjen e një diplomati iranian në Shtetet e Bashkuara në vitet ’80, dhe që njihet për lidhjet e tij të ngushta me zyrtarët e lartë iranianë.

Sipas shtypit, avokatët e Levinsonit, zbuluan emaile në të cilat një analist i CIA-s, i kishte thënë atij para se të nisej për udhëtim, se shpenzimet do t’i kishte të paguara nga agjencia.

Sipas njoftimeve të shtypit, një hetim i brendshëm i CIA-s, çoi në marrjen e masave disiplinore për 10 punonjës, tre prej të cilëve u pushuan nga puna. Po ashtu sipas njoftimit, CIA i ka paguar familjes Levinson 2.5 milionë dollarë, për të shmangur hapjen e një procesi gjyqësor. Familja deri tani nuk është shprehur lidhur me pretendimin se ai punonte për CIA-n.

Një zëdhënëse e Agjencisë së Sigurimit Kombëtar nuk pranoi të komentojë për ndonjë lidhje të mundshme të zotit Levinson me qeverinë amerikane, por shtoi se zyrtarët amerikanë bënë përpjekje pranë dy organeve të shtypit, që të mos e botonin njoftimin, pasi siguria e tij do të vihej në rrezik.

Për herë të fundit 65 vjeçari është parë në vitin 2010, kur familja e tij mori një video në të cilën ai bënte thirrje për ndihmë. Irani thotë se nuk ka asnjë njohuri dhe se nuk e di se ku mund të jetë ai.

Por sipas njoftimit të shtypit, zyrtarët amerikanë besojnë se Irani ose është duke e mbajtur vetë, ose e di se ku mund të ndodhet ai.
XS
SM
MD
LG