Lidhje

Robotët me telekomandë ndihmojnë autoritetet në zbulimin e sekreteve në thellësi të detit


Robotët me telekomandë ndihmojnë autoritetet në zbulimin e sekreteve në thellësi të detit
Robotët me telekomandë ndihmojnë autoritetet në zbulimin e sekreteve në thellësi të detit

Robotët me telekomandë, të cilët qarkullojnë në fund të oqeanit, po ndihmojnë autoritetet në zbulimin e sekreteve në thellësi të detit. Mbeturina anijesh dhe varkash janë të shumta në fund të oqeanit në Detin e Karaibeve, disa prej tyre aq thellë, sa që janë zbuluar vetëm kohët e fundit.

Duke patrulluar detin në brigjet e ishullit St. John Xhonit në arkipelagun Virgin të Shteteve të Bashkuara në Karaibe, anija Nancy Foster është me mision për të zbuluar sekrete në thellësi të ujit. Fundi i detit në këtë pjesë të Karaibeve është plot me mbeturina anijesh.

Arkivimi i të gjitha mbeturinave përbën një problem të madh për Administratën Kombëtare të Atmosferës dhe Oqeaneve ose NOAA, agjenci përgjegjëse për kontrollin e fundit të deteve dhe oqeaneve.

Në thellësi rreth 30 metra zhytësit nuk mund të qëndrojnë gjatë nën ujë për të bërë studimet e nevojshme. Këtu robotët, që funksionojnë me telekomandë, janë shumë të volitshëm pasi ata mund të funksionojnë në thellësi prej 300 metrash për një kohë të gjatë. Kamerat e instaluara tek robotët sjellin në laboratorin e anijes një regjistrim të drejtpërdrejtë video.

Shkencëtarët në bordin e anijes Nancy Foster përdorin aparatura me valë sonare për të përpiluar harta të hollësishme në thellësi të mëdha si dhe konturet dhe përbërjen e fundit të oqeanit. Por varet nga roboti që t’i konfirmojë këto harta dhe të ofrojë më shumë hollësi se çfarë ka në fund të detit.

Në fillim të sezonit të hartave për këtë vit, shkencëtarët po përdorin robotët me telekomandë që të kontrollojnë objekte, që u gjetën vitin e kaluar me aparature sonare, për të cilët ata dyshojnë se janë rrjeta të braktisura peshkimi. Krye shkencëtari i misionit, Tim Battista shpjegon:

"Ne duam të mësojmë se sa kohë mer që të shpërbëhet një rrjetë e humbur dhe sa rrjeta të tilla mund të ketë në fund të oqeanit. Ne duam të mësojnë gjithashtu nëse rrjetat e humbura lëvizin me kalimin e kohës".

Studiuesit duan të përcaktojnë nëse rrjetat e braktisura mund të dëmtojnë kreshtat koralore nëse ato lëvizin nga rrymat e oqeanit ose gjatë stuhive.

Rrjetat e peshkimit zakonisht shpërbëhen dhe hapen nëse nuk përdoren për një kohë të gjatë, madje shkencëtarët po përpiqen gjithashtu të verifikojnë se kjo ndodh sipas parashikimit.

Anija sonare Nancy Foster lëshon zakonisht 3 mijë e 500 valë zanore në sekondë në një hark prej 120 gradësh poshtë anijes.Vala godet fundin e detit dhe kthehet mbrapsht, pak a shumë duke krijuar kështu konturet e tij.

Bazuar nga intensiteti i valës së kthyer mbrapsht, shkencëtarët mund të parashikojnë saktë përbërjen e fundit të detit, si rëra, koralet, leshterikët dhe objekte të tjera.

Shumë prej zonave që kontrollohen nuk janë parë për dekada të tëra ose edhe më gjatë, madje anija sonare po zbulon një pjesë të historisë, që tregon se aty janë fundosur një numër anijesh.

"Një prej objektivave të programit tonë kanë qënë grumbullimi i të dhënave një herë, dhe përdorimi i tyre i vazhdueshëm. Dhe një prej këtyre shembujve është informacioni që ne mbledhim. Megjithëse qëllimi kryesor është përpilimi i hartave të botës së gjallë nën-ujore, informacioni përdoret në të njëjtën kohë për të përmirësuar hartat e lundrimit. Informacionin nga harta me të dhëna të vjetëruara ne mund ta përdorim për të mbushur boshllëqet rreth zonave të reja të peshqve dhe anijeve të tjera të fund të detit".

Këto anije të fundosura janë të rëndësishme për parkun kombëtar të ishujve Virgin, i cili ka për detyrë të mbrojë mjedisin e oqeaneve si dhe të studjojë dhe mbrojë mbeturinat historike, që mbushin fundin e detit.

Siç shpjegon edhe arkeologu i shërbimit të parqeve, Ken Wild, roboti me telekomandë mund të kapërcejë pengesat që ekzistojnë për zhytësit për sa i përket kohës që ata mund të qëndrojnë nën ujë në thellësi të mëdha.

"Në bregdetin jugor, ku na duhet të zhytemi 30 deri 50 metra thellë, roboti me telekomandë na bën të mundur të gjejmë dhe të studiojmë informacione mjaft të dobishme, të cilat nuk mund t’i grumbulojmë nga zhytësit, që nuk mund të qëndrojnë në thellësi të tilla për një kohë të gjatë".

Hulumtuesi Bryan Costa merret me studimin e informacionit rreth anijeve të fundosura. Ai shpjegon rëndësinë e filmimeve nën ujore.

"Pa i parë të filmuara pamjet në fund të detit, ne vetëm mund të hamëndësojmë bazuar në imazhet sonare. Kjo na ndihmon të vlerësojmë atë që ndodhet në fund të detit dhe kjo është një pjesë e rëndësishme e gjithë procesit".

Roboti me telekomandë kontrollon një anije të fundosur, të paparë ndonjëherë. Ekspertët mendojnë se ajo daton nga fundi i shekullit të 18-të, megjithëse shtimi i madh i koraleve dhe gjallesave të tjera nën ujë e bën të vështirë klasifikimin. Studimi i agjencisë NOAA është në vitin e 8-të dhe hulumtuesit thonë se do të kthehen në atë zonë derisa të përfundojnë hartën e sekreteve të Karaibeve.

XS
SM
MD
LG