Lidhje

Robotët që gatuajnë pica


Një kompani e re në Silicon Valley të Kalifornisë ka punësuar robotët për të bërë pica. Kjo është një prej firmave të reja që po përdorin teknologjinë për të kryer veprime të përsëritshme. Megjithatë, sipërmarrësit këmbëngulin se njerëzit ende kanë rolin e tyre në këtë proces.

Një picë duket e shijshme ndërsa kalon në rripin e transportit. Një robot pret që ta fusë atë në furrën e pjekjes. Kompania “Zume Pizza” po përdor robotët, duke thënë se kursen para për krahun e punës. Julia Collins është bashkëthemeluese e këtij biznesi.

“Harxhojmë më pak para në veprimet e përsëritshme, si prerja e sallamit apo hedhja e djathit. Veprimet e përsëritshme i kemi automatizuar që të shpenzojmë më shumë para për cilësinë” , thotë ajo.

Kjo piceri është një prej firmave në rritje që po përpiqen të ndryshojnë industrinë ushqimore përmes programeve kompjuterike dhe robotëve. Këtu robotët hedhin salcën, djathin dhe pjekin picën.

Ndërsa firma tjetër "Mountain View" së shpejti do të punësojë robotët që të bëjnë brumin, të hedhin djathin, ta nxjerrin picën nga furra, ta presin dhe ta paketojnë.

“Zume Pizza” thotë se këtë vjeshtë do të fillojnë dërgesat me një kamion që ka 56 furra për pjekjen e picave në rrugë e sipër kur vijnë porositë. Kjo garanton freskinë e picës kur ajo mbërrin në destinacion. Charity Suzuki është e kënaqur me picat robotike.

“Është e shijshme, gjithmonë e nxehtë dhe e freskët. Nuk mund të bëj dallimin nga pica e bërë nga dora e njeriut apo roboti.”

"Bistrobot" me qendër në San Francisco të Kalifornisë njihet për sanduiçet me pica. Klientët zgjedhin sanduiçet e tyre përmes një ekrani me prekje dhe pastaj shikojnë se si roboti përgatit ushqimin e tyre. Jay Reppert është themeluesi dhe drejtuesi i BistroBot.

“Është i shpejtë, me kosto më të vogël dhe i qëndrueshëm dhe padyshim një eksperiencë që të jep kënaqësi.”

Ekspertët parashikojnë se teknologji të tilla do të përdoren gjithnjë e më shumë në restorante dhe kuzhina. Drejtori i laboratorit të automatizimit në Universitetin e Kalifornisë në Berkley, Ken Goldberg, thotë se me futjet e robotëve në punë ka mjaft detyra të tjera që mbeten për njerëzit.

“Ka 50 vjet që bëhen kërkime dhe po bëhet avancime pavarësisht sfidave. Dua të siguroj punonjësit e restoranteve se aftësitë e tyre ende do të kenë vlerë.”

Duke patur në mendje atë që thotë profesori, një gjë është mëse e sigurt, robotët nuk do të mund të provojnë shijen e një pice të mirë.

XS
SM
MD
LG