Lidhje

Mesha e së dielës pa papë


Besimtarët katolikë në Romë morën pjesë në meshën e parë të së dielës që kur Papa Benedikti la detyrën. Kisha është tani në periudhën e funksionimit pa një papë, e njohur si “Sede Vacante”. Nesër zhvillohet takimi i parë paraprak midis kardinalëve, ku ata do të diskutojnë sfidat e ardhshme të kishës deri tek konsiderimi i kandidatëve të mundshëm.

Pas pjesëmarrjes në meshë, shumë besimtarë thanë se të qenit pa një papë ishte një ndjesi e çuditshme.

“Të them të drejtën, të gjithë ndihemi shumë të pasigurt, sepse nuk jemi mësuar me faktin që një Papë të japë dorëheqjen. Zakonisht papa, për aq kohë sa është gjallë, qëndron në detyrë, prandaj kjo situatë nuk është e lehtë.”

“Më mungon vërtet Papa, sepse ai është udhëheqës shpirtëror dhe ai na duhet për ekuilibrin e botës.”

Kjo ishte mesha e parë e së dielës për besimtarët katolikë në Romë, që kur Papa Benedikti la detyrën.

Kryetari i Kolegjit të Kardinalëve ka ftuar tashmë zyrtarisht të gjithë “princat e Kishës” të mblidhen në Romë për të përgatitur dhe për të marrë pjesë në mbledhjet sekrete për zgjedhjen e papës së ardhshëm.

Kardinali argjentinas Jorge Mario Bergoglio, një intelektual i cili modernizoi atë që konsiderohej si një nga degët më konservatore të kishës katolike në Amerikën Latine, shihet si një nga pretendentët kryesorë për të pasuar Papa Benediktin XVI.

Bergoglio, që nëse zgjidhet, do të jetë Papa i parë jezuit, është 76 vjeç dhe thuhet se ka marrë numrin e dytë më të madh të votave pas Joseph Ratzinger në zgjedhjen e papës në vitit 2005.

Fillimisht i trajnuar si kimist, kardinali Bergoglio ka dhënë mësime në letërsi, psikologji, filozofi dhe teologji para se të merrte detyrën si kryepeshkop i Buenos Airesit në vitin 1998.

"Brenda vetëm gjashtë vjetëve, nga prift i një manastiri të vogël në një provincë, ai u bë kryepeshkop i Buenos Airesit dhe më pas Kardinal kryesor i Argjentinës. Karriera e tij ka qenë mahnitëse."

Nesër zhvillohet takimi i parë paraprak midis kardinalëve, ku ata do të diskutojnë sfidat e ardhshme të kishës deri tek konsiderimi i kandidatëve të mundshëm. Së shpejti kardinalët duhet të vendosin se kur do të mbyllen për të zhvilluar mbledhjet sekrete për zgjedhjen e papës së ardhshëm, por nuk mund ta bëjnë këtë deri sa të gjithë 115 pjesëmarrësit nga e gjithë bota të jenë të pranishëm.
XS
SM
MD
LG