Lidhje

Rosenstein: nuk do të zbatoj urdhëra për shkarkimin Prokurorit Mueller


Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili emëroi ish drejtorin e FBI-së Robert Mueller për të drejtuar hetimin lidhur me mundësinë e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, për ta ndihmuar zotin Trump që t’i fitojë zgjedhjet, i siguroi ligjvënësit se pa një arsye të fortë, ose të ligjshme, nuk do t’i zbatonte urdhërat nga Presidenti Trump ose kushdo tjetër, për shkarkimin nga detyra të prokurorit special, Robert Mueller.

Këto komente ai i bëri gjatë një seance dëshmish në Senat. Zoti Rosenstein tha se ai nuk ka parë ndonjë provë ose arsye për të pushuar Prokurorin e Posaçëm Mueller, i cili është duke hetuar ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhjet amerikane dhe lidhjet e mundshme të këshilltarëve të president Trump me rusët.

Komentet pasuan pyetjet nga ligjvënësit lidhur me njoftimet e shtypit se Presidenti Trump po mendonte ta shkarkonte Prokurorin e Posaçëm. Prokurori i Përgjithshëm ka autoritetin për shkarkimin e Porkurorit të Posaçëm, por meqë Jess Sessions është tërhequr nga hetimet për Rusinë, për shkak të mbështetjes së tij të fuqishme për zotin Trump gjatë fushatës dhe më pas të zbulimeve se ai ishte takuar dy herë me ambasadorin rus në Uashington, zyrtari që mund ta pushojë atë është zëvendësi i tij, Rosenstein.

Mediat cituan të hënën aleatë republikanë të zotit Trump të kishin thënë se ai ka lënë të kuptohet se po shqyrton mundësinë për ta pushuar zotin Mueller, emërimi i të cilit muajin e kaluar u vlerësua gjerërisht si nga republikanët, edhe nga demokratët e opozitës.

Megjithatë, disa republikanë janë duke sugjeruar se Mueller duhet të shkarkohet, pasi në grupin e preokurorëve që ka ngritur ka përfshirë edhe prokurorë, të cilët kanë bërë donacione për rivalen e zotit Trump në zgjedhje, ish Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton.

Një nga mbështetësit kryesorë të zotit Trump, ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich, tha se "republikanët ushqejnë iluzione kur mendojnë se Prokurori Special ka për të qenë i drejtë dhe i paanshëm.

Megjithatë, një tjetër republikan, kryetari aktual i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, u tha gazetarëve se “Më e mira për Presidentin është të lejojë që hetimi të vazhdojë me drejtësi dhe në mënyrë të pavarur. Mendoj se këshilla më e mirë për të do të jetë që ta lejojë zotin Robert Mueller të bëjë punën e tij si Prokuror i Posaçëm.”

Senatorja demokrate e Kalifornisë Dianne Feinstein i tha zotit Rosenstein, se "do të ishte katastrofike në se presidenti Trump e pushon nga puna zotin Mueller si kryesues i komisionit hetimor”.

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein e siguroi zonjën Feinstein se nuk ka për të ndodhur pushimi i zotit Mueller, pa pëlqimin e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG