Lidhje

Rriten tensionet diplomatike Pragë-Moskë


Czech Republic/Russia

Republika Çeke urdhëroi të enjten Rusinë të tërheqë nga Praga shumicën e stafit të saj diplomatik, një hap që shënon shkallëzimin e mëtejshëm të mosmarrëveshjeve midis dy vendeve, më të rëndat në disa dekada. Moska tha se do të kundërpërgjigjej me shpejtësi.

Mosmarrëveshjet morën hov të shtunën, kur Praga dëboi 18 rusë, të cilët i identifikoi si oficerë të zbulimit.

Ajo tha se dy agjentë rusë të akuzuar për një akt helmimi me agjent nervor në Britani në vitin 2018 qëndron gjithashtu prapa shpërthimit në një depo çeke municionesh në 2014 që shkaktoi vdekjen e dy personave.

Rusia i ka mohuar akuzat dhe të dielën urdhëroi si hakmarrje dëbimin e 20 vetëve nga personeli çek.

Vendimi i së enjtes, i njoftuar nga ministri i Jashtëm Jakub Kulhanek, kërkon që Rusia të ketë një numër të barabartë personeli me atë të çekëve në Moskë, që do të thotë se Moska do të duhet të tërheqë rreth 20 diplomatë dhe dhjetëra persona të stafit nga Praga deri në fund të muajit maj.

"Ne do të vendosim një kufi për numrin e diplomatëve në ambasadën ruse në Pragë në nivelin aktual të ambasadës sonë në Moskë," tha zoti Kulhanek.

"Nuk dëshiroj një rritje të panevojshme të tensioneve... por Republika Çeke është një vend me besim në vetvete dhe do të veprojë si e tillë. Kjo nuk ka si synim rusët ose Rusinë, por është një reagim ndaj aktiviteteve të shërbimeve sekrete ruse në territorin tonë," tha ai.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se Moska do të përgjigjet së shpejti.

"Në këtë moment Praga është në rrugën e prishjes së marrëdhënieve," tha ajo në konferencën e saj javore të shtypit.

Në një moment tensionesh të mprehta në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, mosmarrëveshja e ka shtyrë NATO-n dhe Bashkimin Evropian të shprehin mbështetjen e tyre për Republikën Çeke, e cila është anëtare e të dyja blloqeve.

"Aleatët shprehin shqetësim të thellë për veprimet destabilizuese që Rusia vazhdon të kryejë në të gjithë zonën Euro-Atlantike, përfshirë territorin e aleancës dhe janë në solidaritet të plotë me Republikën Çeke," thanë 30 aleatët e NATO-s në një deklaratë.

Javën e kaluar, Moska dëboi diplomatë të Bullgarisë, Polonisë dhe Shteteve të Bashkuara në shenjë hakmarrjeje për të dëbuarit nga stafet e saj.

Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi fuqitë e huaja në një fjalim të mërkurën që të mos i kalonin "vijat e kuqe" të Rusisë, duke thënë se Moska do t'i bënte ata të pendoheshin për veprimet e tyre.

ÇEKËT THONË SE AMBASADA E TYRE ËSHTË E PARALIZUAR

Çekët thonë se humbja e 20 punonjësve në fakt e ka paralizuar funksionimin e ambasadës së tyre në Moskë, që është më e vogël se misioni rus në Pragë.

Ambasada ruse është deri tani misioni më i madh i huaj në Pragë, që ka mbetur kështu qysh nga epoka komuniste e para vitit 1989. Ajo është sa rreth dyfishi i ambasadës së SHBA.

Çekët kanë pesë diplomatë dhe 19 punonjës të tjerë në Moskë, tha ministria e Jashtme të Mërkurën, ndërsa Rusia ka 27 diplomatë dhe 67 punonjës të tjerë në Pragë pas dëbimeve të mëparshme. Kjo do të thotë se çekët kanë urdhëruan një shkurtim prej 70 vetash.

Një zëdhënëse e ministrisë nuk tha se sa ishte numri i saktë i atyre që do të dëbohen.

Kundërzbulimi çek ka thënë vazhdimisht se misioni rus shërben si një bazë për punë inteligjence.

Dy të dyshuarit që Praga thotë se kanë lidhje me shpërthimin e depos së municioneve në vitin 2014, të njohur nën pseudonimet Ruslan Boshirov dhe Alexander Petrov, thuhet se janë pjesë e njësisë elitare 29155 të zbulimit ushtarak rus.

Britania i akuzoi ata në mungesë për vrasje të mbetur në tentativë pas helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij me lëndën nervore Novichok në qytetin anglez Salisbury në vitin 2018.

Kremlini mohoi se kishte lidhje me incidentin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG