Më 3 janar në shtetin e Ajovas zhvillohen votimet paraprake brenda partive për zgjedhjet presidenciale. Kjo shënon edhe fillimin zyrtar të procesit për emërimin e një kandidati republikan, i cili do të përballet me Presidentin Barak Obama vitin tjetër. Beteja për sigurimin e emërimit nga partia ka marrë ngjyra personale ditët e fundit, midis dy prej pretendentëve kryesorë, ish-Guvernatorit të Masaçusetsit Mitt Romney dhe Guvernatorit të Teksasit Rick Perry. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone njofton nga Uashingtoni.
Tensionet midis grupeve të kandidatëve Rick Perry dhe Mit Romney kanë ardhur duke u grumbulluar për disa muaj me rradhë dhe mospëlqimi i tyre për njëri tjetrin u shpall hapur gjatë debatit të fundit republikan të zhvilluar në Las Vegas, të shtetit të Nevadës.
Zoti Perry kishte ardhur i përgatitur për të qenë më agresiv, pas disa paraqitjeve jo të mira dhe pas një rënieje të mbështetjes së publikut për të në anketat e zhvilluara.
Guvernatori Perry u përqëndrua në disa akuza të vjetra, sipas të cilave zoti Romney kishte punësuar imigrantë ilegalë si bahçevanë në shtëpinë e tij. Ja një fragment nga shkëmbimi mes tyre gjatë debatit.
“Mitt, unë mendoj se ti nuk je i besueshëm, pasi punësove punëtorë ilegalë.”
“Unë nuk mendoj se kam punësuar ndonjëherë punëtorë ilegalë.”
“Më lejo të të shpjegoj faktet.”
“Edhe një herë Rick, mos më ndërpre.! E kam unë fjalën!”
Zoti Romney thotë se ai e ndërpreu kontratën me firmën e kopshtarisë sapo zbuloi se ajo përdorte punëtorë ilegalë. Por ai dhe zoti Perry vazhduan të diskutonin edhe më tej mbi këtë çështje gjatë debatit. Në një moment, qartësisht i irrituar, zoti Romney vuri dorën e tij butësisht mbi shpatullën e zotit Perry duke u munduar t’a bënte të pushonte së foluri.
“Ti ke një problem, pasi nuk lejon që personi tjetër të mbarojë së foluri, dhe nëse dëshiron të bëhesh President i Shteteve të Bashkuara duhet të fillosh t’i japësh mundësi edhe bashkëbiseduesit të flasë.”
Imigracioni ilegal është kthyer në objekt debati në fushatën republikane dhe Guvernatori Perry është kritikuar nga disa prej rivalëve të tij, sepse sipas tyre, ai duhet të bëjë më tepër për të ndalur imigrantët ilegalë që shkojnë në Teksas.
Anketat e opinionit tregojnë se zoti Romney dhe sipërmarrësi nga shteti i Xhorxhias, Herman Cain janë, për momentin, dy pretendentët kryesorë për emërimin republikan. Zoti Perry renditet shumë pas tyre së bashku me anëtarin e Kongresit nga Teksasi Ron Paul, ish-kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich dhe anëtaren e Kongresit nga Minesota Michele Bachman.
Në fund të renditjes janë ish-senatori nga Pensilvania Rick Santorum dhe ish-Guvernatori i shtetit Jutah, Jon Hunstman.
E papritura e kohëve të fundit ka qenë niveli i mbështetjes për të porsaardhurin në politikë Herman Cain, ish-drejtor ekzekutiv i një shoqërie picash dhe i vetmi afro-amerikan në garë.
Zoti Cain ka fituar vëmendjen e publikut me anë të personalitetit të tij të pëlqyeshëm dhe me anë të një plani të guximshëm për reformimin e sistemit të taksave.