Lidhje

Rritet ndjeshëm popullariteti i presidentit Obama pas operacionit për vrasjen e bin Ladenit


Rritet ndjeshëm popullariteti i presidentit Obama pas operacionit për vrasjen e bin Ladenit
Rritet ndjeshëm popullariteti i presidentit Obama pas operacionit për vrasjen e bin Ladenit

Sipas një ankete të Qendrës Kërkimore Pew të publikuar nga gazeta Uashington Post, mbështetja publike për presidentin Barak Obama është rritur 9 përqind pas operacionit ku u vra kreu i al Kaidës Osama Bin Laden. Mbështetja për presidentin tani është 56% nga 47 % që ishte muajin e kaluar sipas të njëjtës organizatë anketuese.

Analistët thonë se ndërsa zoti Obama përgatitet të garojë për t’u rizgjedhur vitin e ardhshëm, mbetet për t’u parë se sa mund ta ndihmojë atë politikisht eliminimi i bin Ladenit. Ishte një moment me një dramacitet të pashembullt gjatë presidencës së presidentit Baraka Obama.

“Mirëmbërma! Sot mund të njoftoj popullin amerikan dhe botën se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një operacion ku u vra Osama Bin Laden, kreu i al Kaidës”.

Njoftimi u shoqërua me festime dhe shprehje të shumta të krenarisë kombëtare - përpara Shtëpisë së Bardhë, në Kuotën Zero në Nju Jork dhe kudo në vend.

Republikanët iu bashkuan demokratëve për të përgëzuar presidentin dhe forcat speciale Seals të cilat realizuan misionin. Mes atyre që vlerësuan këtë moment ishte dhe Dik Çeni dhe shumë të tjerë që shpesh janë kritikë ndaj zotit Obama.

“Mendoj se administrata e meriton vlerësimin për suksesin e operacionit. Mendoj se ne të gjithë i kemi atij borxh të njëjtën ndjenjë kënaqësie që edhe ata ndjejnë“.

Mbështetja e publikut për Presidentin Obama ishte ulur kohët e fundit, por operacioni i sukseshëm për të asgjesuar Osama Bin Ladenin i ka dhënë presidentit një shtytje politike, thotë Peter Brown, anketues i universitetit Kuinipak.

“Pyetja që shtrohet për zotin Obama është se sa e madhe është kjo shtytje dhe sa mund të zgjasë ajo. Kjo nuk është e qartë dhe nuk do të jetë e qartë për një kohë”.

Disa analistë, mes tyre dhe Robert Guttman i Universitetit Johns Hopkins parashikojnë se operacioni kundër bin Ladenit do të ketë ndikim të madh në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

“Sigurisht që kjo u jep një shtytje mundësive për rizgjedhje të presidentit Obama. Për mua, zgjedhjet janë mbyllur që sot”.

Por zoti Brown thotë se është shumë herët për të arritur në një përfundim të tillë.

“Pyetja më e rëndësishme përsa i përket së ardhmes së tij politike nuk është nëse vrasja e Bin Ladenit do të ndihmojë besueshmërinë e tij në rrafshin e sigurisë kombëtare, sepse patjetër që e ndihmon. Çështja është se sa do t’i bëjë kjo njerëzit të favorizojnë mënyrën se si ai menaxhon ekonominë, defiçitin dhe problemet e brendshme”.

Presidenti ka marrë përgëzime për operacionin madje dhe nga disa republikanë që përgatiten për garën presidenciale vitin e ardhshëm, si ish guvernatori i shtetit Masaçusets, Mit Romni dhe ish guvernatori i Minesotës, Tim Polenti.

XS
SM
MD
LG