Lidhje

Greqia godet rrjet droge, udhëhequr nga një shqiptar


Drejtoria e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit të Atikës tha se shkatërroi një rrjet ndërkombëtar të përbërë nga tre organizata kriminale aktive në trafikun e drogës por edhe të refugjatëve të paligjshëm. Në fushën e drogës aktiviteti i organizatave ishte kryesisht në trafikimin e kokainës dhe kanabisit në zonën e Atikës dhe ishullit turistik Kos.

Zëdhënësi i policisë greke, Theodore Hronopoulos tha se në operacionet policore të njëkohshme të kryera në Athinë dhe Kos u arrestuan në total 44 anëtarët e organizatave kriminale, nga të cilët 23 janë shtetas shqiptarë, 20 shtetas grekë dhe shtetas nga Pakistani.

Policia greke tha se për të provuar aktivitetin e organizatave janë përdorur teknika speciale të hetimit prej disa muajsh. Rrjeti kriminal, sipas policisë greke, koordinonte importimin nga Shqipëria në Greqi të sasive të mëdha të kokainës dhe kanabisit dhe i vendoste në zona të veçanta të ruajtjes në rajonin e Atikës. Më pas droga shpërndahej drejt ishullit turistik grek ku shpërndahej nga rrjetet më të vogla.

Sipas policisë greke një kilogram kanabis shitej në 1.500 euro dhe një gram kokaine 80 deri 100 euro. Greqia është destinacioni I dytë pas Italisë i sasive të mëdha të kanabisit që u kultivuan vitin e shkuar në Shqipëri.Policia greke tha se në vitin 2016 dhe dy muajt e parë të vitit 2017 janë konfiskuar rreth 13 ton kanabis, 55.000 bimë marijuane, mbi 300 kilogramë heroinë dhe më shumë se 125 kilogramë kokainë. Pjesa dërmuese e kanabisit sipas burimeve greke kishte hyrë në Greqi vitin e shkuar nga territori shqiptar, ndërsa nuk kishin munguar edhe raste të bllokimit në kufirin shqiptaro grek të llojeve të forta të drogës si heroinë dhe kokainë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG