Lidhje

Ende pa zgjidhje çështja gjyqësore kundër regjisorit rus


Një gjykatëse në rastin e drejtorit të teatrit rus, Kirill Serebrennikov dhe të pandehurve tjerë, dëshiron të kthejë në prokurori rastin e përvetësimit.

Gjykatësja Irina Akkuratova tha në seancën e së mërkurës se dokumenti i akuzës zyrtare ka pasazhe që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën si dhe mospërputhje, prandaj ajo pret ta rikthejë tërë çështjen në zyrën e prokurorit.

Fillimisht, në prill ajo kërkoi shqyrtim të ri të provave. Më vonë e zgjati afatin për këtë shqyrtim deri në qershor. Në gusht, gjykatësja theksoi se ekspertët nuk ishin në gjendje të ofronin fakte se paratë e shtetit të akorduara për projektet e drejtorit të teatrit janë keqpërdorur.

Drejtori i teatrit, 50-vjeçari Serebrennikov dhe tre të pandehur tjerë akuzohen për përvetësim të 2 milionë dollarëve të fondit shtetëror, në emër të një organizate jo-përfituese të njohur si “Seventh Studio” gjatë viteve 2011-2014.

Arrestimi që u krye në gusht të vitit 2017 tërhoqi vëmendje ndërkombëtare dhe u pa si përpjekje e autoriteteve ruse për të goditur figura kulturore të cilat kanë përplasje me qeverinë e Presidentit Putin.

Zoti Serebrennikov ishte pjesë e protestave kundër qeverisë dhe ka shprehur vazhdimisht shqetësim për rritjen e ndikimit të Kishës Ortodokse ruse. Ai ka mohuar akuzat ndaj tij, duke i quajtur ato si absurde.

Ai dhe të akuzuarit tjerë, producenti Yury Itin dhe ish-zyrtarja në Ministrinë e Kulturës, Sofia Apelbaum, janë liruar nga arresti shtëpiak më 3 prill me vendim të gjykatës, por vendimi kërkon që ata të mos largohen nga Moska.

I akuzuari tjetër, Aleksei Malobrodsky, vazhdon të vuajë masën e arrestit shtëpiak.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG