Lidhje

Rusia ndalon avionë egjiptianë


Agjencia shtetërore ruse e aviacionit ka ndaluar fluturimet e shoqërisë egjiptiane të aviacionit në Rusi, në një klimë spekulimesh se në avionin rus që u rrëzua në gadishullin e Sinait muajin e kaluar kishte një bombë.

Agjencia Rosaviatsiya njoftoi aeroportin Domodedovo në Moskë, ku zbresin avionët e shoqërisë egjiptiane, se ndalimi i fluturimit të këtyre avionëve hyn në fuqi nesër.

Agjencia e aviacionit nuk dha arsye për këtë masë. Presidenti Vladimir Putin pezulloi më parë të gjitha fluturimet ruse që shkojnë për në Egjipt, pas rrëzimit të avionit më 31 tetor, nga i cili gjetën vdekjen të 224 personat në bord.

Kreu i ekipit egjiptian që po zhvillon hetime për rrëzimin ka thënë se analiza paraprake e mbetjeve të avionit dhe kutitë ku janë regjistruar komunikimet nga avioni nuk japin prova definitive për shkakun e rrëzimit të avionit. Megjithatë, raporte të ndryshme nga agjenci të huaja të zbulimit kanë ngritur teorinë e një bombe që mund të jetë vënë nga Shteti Islamik.

Ekstremistët që kanë lidhje me Shtetin Islamik morën përgjegjësinë për shpërthimin, duke thënë se ishte hakmarrje për goditjet ruse kundër objekteve të ISIS në Siri.

XS
SM
MD
LG